Ditari i Buzhalës 25: Historia e ushtarit të Batalionit "Atlantiku" që la ShBA-në për të luftuar në Kosovë - NACIONALE

Ditari i Buzhalës 25: Historia e ushtarit të Batalionit "Atlantiku" që la ShBA-në për të luftuar në Kosovë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Episodi i 25 i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Ky njëherit është i dyti për nga koncepti me mysafir, pas atij me Bledi Manen, të publikuar javë më parë.

Kësaj radhe mysafir është Uk Lushi, ish-ushtar i UÇK-së dhe ekonomist me nam i lobit shqiptaro-amerikan.

Lushi bashkë me autorin Buzhala ka shtjelluar shumë çështje nga politika e biznesi, teksa me ëndje ka shpalosur edhe periudhën kur ishte pjesë e Batalionit "Atlantiku".

Madje, sa për kuriozitet, një nga detajet që tregoi për shikuesit e Ditarit të Buzhalës ishte detaji që vetëm në grupin ku bënte pjesë ai në batalionin respektiv, ishin tetë milionerë, që kishin lënë gjithçka anash, për të luftuar për vendin e tyre.

“Jo, nuk kam qenë unë i vetmi. Sa për info, në batalionin Atlantiku atëbotë kanë qenë diku tetë milionerë, dmth të tjerë, njerëz që kanë pasë pasuri multi-milionëshe. Tetë milionerë në grupin tonë kanë qenë. Gjatë asaj kohe unë kam punuar për një kompani franceze, mandej kam vazhduar karrierën në pika të përgjithshme për General Electric, që atëherë ka qenë kompania më e madhe për “market capitalization”, diku rreth 150 mijë punëtorë në gjithë botën. Pastaj u përcaktova për botën e financave. Kalova në “Wall Street” dhe kjo është mënyra e jetës që e vazhdoj edhe tash", tha fillimisht ai.

Në anën tjetër, nuk mund të mungonte as politika. Lushi, aktivist në rrjetet sociale, komentoi edhe raportet Kosovë - Shqipëri.

Sipas tij, të dy liderët në të dy anët e kufirit kanë gabimet e veta, si Kurti ashtu edhe Rama.

Përderisa te kryeministri shqiptar kritikon nënçmimin e madh që ai ia bën keqësisë së Serbisë, Kurtin e kritikon që mbiçmon keqësinë.

Madje, ai beson se në një të ardhme afatmesme, pala kosovare dhe ajo serbe do ta mbajnë mbledhjen e përbashkët.

“Nuk është çështja vetëm e takimeve individuale por edhe e projekteve të përbashkëta. Unë mendoj që në një të ardhme afatmesme, do ta kemi një mbledhje mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, edhe të Maqedonisë edhe të Malit të Zi, që është normale apo jo”, vazhdoi ai.

Këtu ironizoi Buzhala, duke thënë se duke parë shkëmbimin tregtar, më shumë ka logjikë të mbahet me Serbi sesa me Shqipëri (qesh).

Lushi foli edhe për raportet ekonomike mes Kosovës e Serbisë. Ndër tjerash ai kujtoi edhe një fakt shumë të rëndësishëm, atë që Serbia ka humbur përballë shqiptarëve.

"Problemi është se Serbia e shkel Kosovën në mënyrë të padrejtë në aspektin ekonomik, duke përdorur fuqinë, duke përdorur edhe një lloj naiviteti të njerëzve që duan të pasurohen me çdo kusht. Nuk dua të hedh fajin në asnjërën anë. As kah Rama e as kah Kurti, për arsye se ka çështje në të cilat Kurti ka të drejtë, ka çështje në të cilat Rama është drejtë. Të dytë janë gabim në aspektin e mosbashkëpunimit. Rama nënçmon keqësinë e Serbisë, ndërsa ne këtu në Kosovë e mbiçmojmë. Ne duhet ta kuptojmë: Serbia ka humbur. Shqiptarët e kanë mundur Serbinë, ose Kosova mund të thuhet se e ka mposhtur Serbinë. Ata e kanë humbur luftën. Kosova megjithatë ka shtetin. Edhe jeta vazhdon".

Krejt në fund ai lavdëroi Albin Kurti për këmbëngulësinë e tij.

"Unë e aplaudoj kryeministrin Kurti për këmbëngulësinë e tij. Mendoj që i ka bërë disa ndryshime në aspektin politik, por nuk është problemi krejt politik".

Siç edhe mund të shihni, më sipër është episodi i plotë, kurse më poshtë gjeni fraksionin e zgjedhur këtu.

Lajme të ngjashme