Detaje nga Gjykata: Jepet fjala përfundimtare në rastin Banjska, kërkohet burgim i përjetshëm për tre terroristët
Prokuroria Speciale ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit në rastin e sulmit në Banjskë, duke e cilësuar si të vetmin dënim proporcional me peshën e veprës penale.
Në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, u dhanë fjalët përfundimtare nga prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Naim Abazi, nga avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci, nga avokati i të dëmtuarit Alban Rashiti, Naim Rudari, si dhe nga avokatja e të dëmtuarit Çlirim Shaqiri, Besjana Ismaili.
Fillimisht, prokurori Abazi në fjalën përfundimtare tha se në raste të tilla mesazhi juridik duhet të jetë i qartë dhe i prerë.
“Në një rast si ky, ku kemi të bëjmë me një sulm të armatosur kundër Policisë së Republikës së Kosovës dhe kundër rendit kushtetues, mesazhi juridik duhet të jetë i qartë, i prerë dhe i padiskutueshëm. Sulmet e organizuara dhe të armatosura kundër institucioneve shtetërore nuk tolerohen dhe dënohen me ashpërsinë më të lartë të paraparë me ligj. Nëse në një rast me këto përmasa, me këtë shkallë të organizimit dhe me këtë pasojë fatale nuk aplikohet dënimi maksimal, atëherë dëmtohet ndjeshëm efekti parandalues i ligjit penal dhe krijohet perceptimi i rrezikshëm i relativizimit të cenimit të rendit kushtetues.
Në aspektin e proporcionalitetit, duke marrë parasysh natyrën terroriste të veprës, pasojën fatale të shkaktuar, rrezikshmërinë e lartë shoqërore të operacionit, organizimin paraushtarak të strukturuar, cenimin e drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe mungesën e rrethanave lehtësuese relevante, Prokuroria vlerëson se dënimi i vetëm proporcional dhe në përputhje me peshën e veprave penale është burgimi i përjetshëm.” - ka thënë ai.
Ndër të tjera, prokurori Abazi theksoi se, duke marrë parasysh natyrën terroriste të veprës, pasojat dhe rrezikshmërinë e lartë, dënimi i vetëm proporcional është burgimi i përjetshëm.
Në fund, ai kërkoi nga gjykata që t’i shpallë fajtorë të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, dhe ndaj secilit të shqiptohet dënimi maksimal, jo më pak se burgim i përjetshëm.
“Çdo dënim më i ulët do të ishte disproporcion i qartë me gravitetin, pasojat dhe rrezikshmërinë e veprimit dhe nuk do të përmbushte as funksionin ndëshkues e as parandalues të sanksionit penal. Në bazë të të gjitha provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe në bazë të analizës së plotë juridike të elementeve objektive dhe subjektive të veprës penale, si dhe në bazë të përgjegjësisë individuale të secilit prej të pandehurve në kuadër të bashkëveprimit, Prokuroria Speciale i propozon gjykatës që t’i shpallë fajtorë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq për veprat penale për të cilat akuzohen dhe ndaj secilit prej tyre të shqiptojë dënimin maksimal të paraparë me ligj, jo më pak se burgimi i përjetshëm.” - ka thënë Abazi ndër të tjera.
Në fjalën përfundimtare, avokatja e të dëmtuarit Çlirim Shaqiri, Besjana Ismaili, tha se për shkak të lëndimeve të marra në ditën kritike, klienti i saj ende nuk e ka filluar punën.
Ndërsa Arianit Koci, avokat i familjes Bunjaku, tha se Kosova është shtet i pavarur dhe se nuk do të jetë e mundur të shkëputet asnjë pjesë e saj.
Po ashtu, mbrojtësi i të dëmtuarit Alban Rashiti, avokati Naim Rudari, tha se grupi kriminal nuk ishte i rastësishëm, por ishte përgatitur mirë në Serbi, duke u ndihmuar edhe me armatim nga Ushtria e Serbisë.
Të tre avokatët përkrahën fjalën përfundimtare të prokurorit të Prokurorisë Speciale dhe, njëkohësisht, kërkuan burgim të përjetshëm ndaj tre të akuzuarve: Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Çështja penale ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, i cili kishte ndodhur më 24 shtator 2023, është duke u gjykuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin Special.
Ky rast po trajtohet nga gjyqtarët Ngadhnjim Arrni, kryetar i trupit gjykues, si dhe Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli, anëtarë.
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, edhe në shqyrtimin kryesor më 17.04.2025 nuk kanë pranuar fajësinë lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.
Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për këtë rast, aktakuza ishte ngritur më 11.09.2024.