Detaj: Konflikti për pronën - nipi dyshohet se plagosi axhën në Fushë Kosovë, 45-vjeçari në arrati
Një 45-vjeçar dyshohet se plagosi axhën e tij mbrëmjen e së martës në Miradi të Epërme të Fushë Kosovës, pas një konflikti të dyshuar për pronë. Sipas raportimit, i dyshuari është Fidan Gjyrevci, ndërsa viktimë është axha i tij, Ibush Gjyrevci, rreth 61 vjeç.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 20:30 në rrugën “Prizreni”, ku pas një debati verbal për një kontest pronësor, 45-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka qëlluar në drejtim të axhës së tij, duke e plagosur në këmbën e djathtë.
I plagosuri është dërguar nga familjarët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Mjekët kanë konstatuar se ai ka pësuar një plagë me hyrje dhe dalje të plumbit, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të njëjtave burime, pas incidentit i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë Volksëagen Passat me ngjyrë të zezë. Policia më vonë e ka gjetur automjetin të braktisur në oborrin e vëllait të tij, por i dyshuari ende nuk është lokalizuar dhe vazhdon të jetë në arrati.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar hetuesit rajonalë dhe ekipi i forenzikës, të cilët kanë sekuestruar një gëzhojë si provë material, raporton gazeta Sinjali.
Me urdhër të Prokurores së Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa Policia e Kosovës po vazhdon hetimet dhe kërkimin e të dyshuarit për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Për rastin detaje kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh.