Deshën të merrnin 6500 euro duke mashtruar në emër të Nezir Mehmetaj - Si u arrestua shoku i Edon Bytyqit (mashtruesit) në Klinë
Kryetari i shoqatës bamirëse "Vëllezërit e Diasporës", Fadil Ajrizaj, i ka rrëfyer gazetarit të Nacionales, një rast mashtrimi në emër të Nezir Mehmetajt, i cili aktualisht gjendet në paraburgim në Serbi.
Edhe në këtë rast, mashtruesi është paraqitur me emrin Dibran Hoxhaj, duke deklaruar se është Nezir Mehmetaj dhe ka folur me përfaqësuesit e shoqatës kinse po flet nga burgu në Serbi.
Ai në të vërtet është Edon Bytyqi, emrin e të cilit tashmë e ka bërë të ditur Nacionale, ndërsa në rastin e mëposhtëm, ai kishte dërguar një shok të tij për të pranuar 6 mijë e 500 euro bamirësi.
Fatmirësisht, Policia e Kosovës kishte qenë duke i hetuar të dyshuarit dhe në momentin që shoku i Edon Bytyqit kishte ardhur në Klinë për të pranuar paratë nga shoqata, ishte arrestuar nga forcat policore dhe gjendet ende në burg.
Ndërkaq, i dyshuari kryesor për këtë mashtrim dhe mashtrime të tjera në forma të ndryshme ndaj qytetarëve të Kosovës, Edon Bytyqi, sipas informacioneve të Nacionale, gjendet ende në liri dhe strehohet diku në Serbi.