Ambasadorja Ziv në Nacionale: Pse Izraeli s’na njohu fill pas pavarësisë? Sa është larg paqja Izrael-Palestinë? - NACIONALE

Ambasadorja Ziv në Nacionale: Pse Izraeli s’na njohu fill pas pavarësisë? Sa është larg paqja Izrael-Palestinë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, znj. Tamara Ziv, në intervistën me gazetarin Berat Buzhala, flet hapur rreth raportit mes dy vendeve, mes dy popujve. Të përbashkëtat, ose gjërat që ‘na ndajnë’. Miqësia shqiptaro-izraelite. Ambasadorja rrëfen si rrallëherë, për spitalin e ndërtuar në pikun e luftës së fundit në Kosovë – në vitin 1998, ku ishin trajtuar të plagosurit e Kosovës; spitali ndodhej në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Çka e bën Izraelit kaq të suksesshëm? A do të ketë paqe në mes të Izraelit dhe Palestinës? Pse Izraeli na njohu në vitin 2020, e jo fill pas pavarësisë?

INTERVISTA E PLOTË:

Berat Buzhala: Zonja ambasadore, është kënaqësi që ju kam në këtë intervistë.

Tamara Ziv: Faleminderit shumë! Është kënaqësi të jem këtu sot.

Berat Buzhala: Ju keni qenë ambasadore në Kosovë në dy vitet e fundit.

Tamara Ziv: Dy vjet e gjysmë.

Berat Buzhala: Dy vjet e gjysmë. Ishin vite shumë të vështira për vendin tuaj. A e patëm mundësinë për t’i fuqizuar marrëdhëniet tona, duke e marrë parasysh atë nëpër të cilën ju po kaloni?

Tamara Ziv: Po, pa dyshim. Ju e dini, ne i nënshkruam marrëdhëniet diplomatike mes nesh në shkurtin e vitit 2021. Tashmë janë bërë katër vjet të marrëdhënieve diplomatike dhe të hapjes së ambasadës kosovare në Jerusalem. Unë fillova që të punoja rreth Kosovës gati një vit më vonë dhe prej asaj kohe, në dy vitet e gjysmë të fundit, pak më shumë, ne kemi qenë duke punuar shumë intensivisht, edhe unë, edhe e ngarkuara me punë e juaja në Jerusalem, Ines Demiri, për ta ndërtuar vërtet marrëdhënien nga fillimi. Kemi pasur një numër të konsiderueshëm të vizitave të ndërsjella nga ministra në Kosovë dhe nga ministra që erdhën për ta vizituar Izraelin gjatë këtyre viteve, ministra izraelitë që erdhën për ta vizituar Kosovën këtyre viteve. Kemi nënshkruar një numër të konsiderueshëm të marrëveshjeve mes vendeve tona dhe memorandume mirëkuptimi në fushën e arsimit, në fushën e kulturës, marrëveshjen për heqjen e vizave, e cila, natyrisht, është shumë e rëndësishme. Ajo u nënshkrua në qershorin e kaluar dhe ndoshta do të hyjë në fuqi shumë shpejt.

Berat Buzhala: Pra, kosovarët mund të vijnë pa vizë në Izrael?

Tamara Ziv: Ende jo. Jemi duke e pritur procesin përfundimtar në Izrael, por besoj se brenda pak javësh do ta njoftojmë datën, kur do ta dimë me siguri, pastaj kosovarët do të mund të vijnë në Izrael pa vizë dhe, natyrisht, ky do të jetë kontribut i madh për fuqizimin e marrëdhënieve turistike mes vendeve, marrëdhënieve ekonomike, marrëdhëniet ndërkulturore e të tjera. Pra, janë shumë punë që janë bërë në këta vjet që nga njohja dhe, e dini, edhe në këtë vitin e fundit, në të cilin Izraeli ka përjetuar një luftë tepër të vështirë dhe shumica e energjive tona ishin të përqendruara brenda vendit, për t’u marrë me këtë luftë shumë të madhe me të cilën ishim duke u ballafaquar. Marrëdhënia me Kosovën ka qenë gjithmonë lart në agjendën tonë dhe ne madje kishim një ministër që e vizitoi Kosovën para pak muajve dhe ne kemi vazhduar që t’i avancojmë marrëdhëniet dypalëshe. Vetëm këtë javë, ne patëm një grup prej tre mjekëve, ekspertë të mjekësisë urgjente që I lanë sallat e urgjencës në Izrael për të qenë në gjendje që të vinin këtu dhe për të mbajtur një javë kurs trajnues për mjekë e infermierë në sektorin e mjekësisë urgjente të Kosovës.

Berat Buzhala: Ata e lanë Izraelin dhe erdhën për të ndihmuar këtu?

Tamara Ziv: Po, ata e lanë Izraelin. Secili prej tyre është mjek i specializuar për mjekësinë urgjente dhe të traumës. Ata erdhën këtu për ta sjellë këtë kurs dhe për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja me mjekët dhe infermierët në Kosovë.

Berat Buzhala: Mendoj se kanë qenë disa qindra kosovarë, dhjetëra sosh, të cilët Izraeli i kishte pranuar gjatë luftës (në Kosovë) dhe u kishte ofruar strehim. A janë ata ende në Izrael? A kemi të dhëna në lidhje me kosovarët që jetojnë në Izrael?

Tamara Ziv: Menjëherë, mendoj se ishte marsi i vitit 1998, kur Izraeli e kishte ndërtuar spitalin e parë në kufirin mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Ishte spital fushor, ku kishin arritur shumë mjekë e infermierë për t’i trajtuar refugjatët që po arrinin nga Kosova në Maqedoninë e Veriut. Mendoj se ky spital fushor ishte i hapur për një muaj, gjashtë javë apo kështu diçka dhe aty u trajtuan mijëra kosovarë. Vetëm disa muaj më parë, në mesin e luftës, ne sollëm një delegacion shumë të lartë nga Spitali “Sheba”, i cili është njëri nga dhjetë spitalet më të mira në botë dhe njëri nga spitalet më të mira në Izrael, të cilët erdhën këtu në përpjekje për të ndërtuar bashkëpunim në fushën e kujdesit shëndetësor me Kosovën dhe gjëja interesante ishte që udhëheqësi i delegacionit, Dr. Har-Even, ishte mjek i ri në kohën e luftës dhe ai ishte njëri nga mjekët që kishte ardhur dhe kishte punuar në atë spitalin fushor. Pra, tani, 25 vjet më vonë, ai erdhi prapë në Kosovë. Ishte tepër i prekur emocionalisht nga rikthimi dhe duke parë se vendi është zhvilluar aq shumë. Madje edhe drejtori i përgjithshëm i Spitalit “Sheba” ishte njëri nga mjekët që ishin duke punuar në atë spital fushor. Lidhjet mes njerëzve tanë kanë qenë shumë të gjata dhe kjo është vetëm një tjetër…

Berat Buzhala: Sa herët prapa në kohë mund të shkojmë për t’i gjurmuar lidhjet tona si dy popuj?

Tamara Ziv: Mendoj qindra vjet.

Berat Buzhala: Qindra vjet?

Tamara Ziv: Po, sepse ka qenë një popullsi hebreje që ka jetuar këtu në mënyrë shumë paqësore, shumë mirë në Kosovë për qindra vjet.

Berat Buzhala: Sa njerëz hebrenj janë në Kosovë në momentin që po flasim?

Tamara Ziv: Për momentin, jo shumë. Disa dhjetëra.

Berat Buzhala: Po sa i përket Shqipërisë? A është situata e njëjtë?

Tamara Ziv: Jo shumë as atje.

Dua të them se Shqipëria, në mënyrë specifike, është shtet unik në botë, ku ishte regjistruar rritje e numrit të hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore në krahasim me periudhën para saj, që nuk është rasti në asnjë pjesë tjetër të botës. I dimë rrethanat, dimë gjithçka. Është një marrëdhënie shumë interesante mes dy etnive.

Pa dyshim. Shqipëria është shteti i vetëm, siç thatë ju, që kishte dhjetëfish më shumë hebrenj në kohën e Luftës (së Dytë Botërore) sesa në fillim të saj. Ishin edhe shumë familje shqiptare nga Kosova që ndihmuan për ta shpëtuar jetën e hebrenjve dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë dhe mendoj se kjo vërtet e ngriti lidhjen mes vendeve tona dhe kur lufta shpërtheu këtu, atëherë Izraeli dëshiroi që të bënte gjithçka që mundnim për ta mbështetur Kosovën. Vërtet, një gjë ishte hapja e atij spitali fushor, që ishim shteti i parë që vepruam ashtu, dhe një gjë tjetër ishte që kryeministri i atëhershëm, Benjamin Netanyahu, ftoi familje dhe fëmijë që të vinin në Izrael, të vinin në kampe verore për ta lënë atmosferën e tensionuar që ishte këtu dhe thjesht të shijonin një atmosferë tjetër dhe ishin goxha disa njerëz që kishin ardhur verës.

Berat Buzhala: Historia e Izraelit, në mënyrë specifike pas pavarësisë, pasi Izraeli u bë vend sovran, pas Luftës së Dytë Botërore. Njerëzit në Kosovë i lartësojnë atë histori dhe suksesin që e kishte Izraeli, duke u bërë njëra nga fuqitë në rajon, por edhe në botë. Ekonomia duke lulëzuar, demokracia duke lulëzuar. Cili është sekreti? Çfarë e bëri Izraelin që të kishte sukses të madh në atë mjedis?

Tamara Ziv: Mendoj se në njërën anë puna e madhe, vizioni. E dini, pas Holokaustit, gjatë të cilit gjashtë milionë hebrenj u vranë nga nazistët dhe, në të vërtetë, për dy mijë vjet, hebrenjtë kurrë nuk kishin atdhe. Kishte komunitete hebreje pothuajse kudo në botë, por ne kurrë nuk kishim një shtëpi, një shtet që mund ta quanim tonin. Pas Masakrës së Holokaustit, kur ne më në fund arritëm një shtet, i cili fatkeqësisht është në një fqinjësi shumë të keqe, i rrethuar me shtete të cilat më 1948, një ditë pas Shpalles së Shtetit të Izraelit, menjëherë e sulmuan Izraelin nga pesë drejtime dhe që nga ajo kohë Izraeli në të vërtetë ka qenë duke luftuar për ekzistencën e vet dhe mendoj se fakti që neve na duhet që të luftojmë për ekzistencën tonë, por në anën tjetër, ne kuptojmë që ky është vendi i vetëm në botë në të cilin hebrenjtë janë vërtet të sigurt nga antisemitizmi, këto bënë që ne të punonim shumë, shumë fort që të ndërtonim një shtet. Ne themi që nevoja është nëna e novacionit, prandaj fakti që pjesa e tokës që ne e pranuam në këtë botë është pjesë toke shumë e thatë, pa burime natyrore, pa ujë, na bëri të detyruar që të shpiknim gjëra që do të na e mundësonin jetesën tonë në këtë tokë.

Berat Buzhala: Pra, nuk ka nevojë për burime që të bëheni një shtet i suksesshëm ose shoqëri e suksesshme?

Tamara Ziv: Pikërisht. Pra, ne i përdorëm burimet tona njerëzore për ta zhvilluar vendin. Pra, mendoj se ishte kombinim i pasjes së një shteti të pavarur për herë të parë, të kuptuarit se nëse ne nuk do ta ndërtonim këtë shtet dhe nëse nuk do të ishim të fortë, nuk do të jemi në gjendje për ta mbrojtur veten në këtë fqinjësi dhe, në anën tjetër, detyrimi për të shpikur gjëra për të qenë në gjendje për të jetuar në këtë shtet. Për shembull, Izraeli sot është shteti numër një për menaxhimin e ujit. Pse jemi numër një për menaxhimin e ujit? Sepse na mungon uji. Prandaj, ne duhej të shpiknim mënyra për ta mundësuar bujqësinë në një klimë shumë të thatë. Izraeli është njëri nga vendet udhëheqëse për teknologji bujqësore, për menaxhimin e ujit.

Berat Buzhala: A e distilon tani Izraeli ujin e detit?

Tamara Ziv: Po.

Berat Buzhala: Shumicën?

Tamara Ziv: Shumicën e ujit të pijes.

Berat Buzhala: A është proces i shtrenjtë? Mendoj se ishte dikur.

Tamara Ziv: Dikur ishte i shtrenjtë. Sa më shumë që përdoret distilimi, aq më shumë zhvillohet teknologjia dhe çmimet bien, prandaj natyrisht se është shumë, shumë, shumë më lirë se që ishte më parë dhe po bëhet proces më ekonomik.

Berat Buzhala: Me cilën degë të shoqërisë Izraeli, le të themi, mburret? Dua të them, cila degë e shoqërisë është më interesanta, që vazhdon ta shtyjë përpara? A janë shkollat? A është mërgata?

Tamara Ziv: Mendoj se është kombinim. Mendoj se etërit themeltarë e kuptonin që nëse ne nuk kemi universitete shumë të mira dhe institute hulumtuese shumë të mira, ne nuk do të jemi në gjendje që të zhvillohemi si duhet. Pra, ne kemi universitete shumë të mira. Kemi universitete që renditen në mesin e 100 më të mirave në botë. Në Izrael kemi disa fitues të Çmimit Nobel. Mendoj se është pjesë e traditës hebraike për mijëra vjet që të studiohet, të mësohet, të jesh i shkolluar. Kjo është diçka nga mërgata. Të gjithë hebrenjtë që erdhën në Izrael, natyrisht, i zhvilluan universitetet, hulumtimin e të tjera. Izraeli është komb me teknologji të avancuar. Njëra nga arsyet pse ne e zhvillojmë industrinë e teknologjisë së avancuar është përsëri nevoja për ta mbrojtur veten. Industritë ushtarake ishin disi lokomotivë e industrisë së teknologjisë së avancuar, sepse ata filluan me themelimin e teknologjive të ndryshme që do të na mbronin, që do ta fuqizonin ushtrinë tonë dhe nga këto teknologji, kishte nënprodukte për gjëra të tjera. Për shembull, industria e sigurisë kibernetike filloi në ushtri dhe tani Izraeli është ndër shtetet udhëheqëse për programim kompjuterik, për teknologji të sigurisë kibernetike, për teknologji të mbrojtjes. Pra, e dini, kjo e tëra është pjesë e zhvillimit dhe natyrisht se mërgata ka qenë shumë përkrahëse që nga themelimi i Shtetit të Izraelit dhe ajo është mbështetëse edhe tani. Pas masakrës së 7 tetorit të vitit të kaluar nga Hamasi, shumë, shumë, shumë komunitete hebreje përreth botës i mbështetën njerëzit që ishin zhvendosur, i mbështetën fshatrat, e mbështetën Shtetin e Izraelit, me pajisje, me çfarëdo që na nevojitej dhe vazhdojnë që të ofrojnë përkrahje, prandaj ne jemi shumë mirënjohës që e kemi këtë lidhje mes njerëzve në Izrael dhe mërgatës.

Berat Buzhala: Përveç fqinjësisë, ne gjejmë ngjashmëri me Izraelin edhe te pasja e një aleati të palëkundur si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të doja t’ju pyes, duke marrë parasysh që Shtetet e Bashkuara kanë kryesisht skenë politike dypartiake, a është vështirë për Izraelin që ta mbajë marrëdhënien me ShBA-në, sepse Qeveria e Izraelit dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë gjithmonë në valët e njëjta?

Tamara Ziv: Mendoj se edhe Franca ka dallime në mendime dhe është e qartë për secilin izraelit që aleati ynë numër një në botë janë Shtetet e Bashkuara dhe ne ishim shumë mirënjohës për mbështetjen dypartiake që e kemi pranuar vazhdimisht vazhdimisht që nga themelimi i Izraelit e deri më sot. Gjatë historisë së marrëdhënieve, ne nuk e kemi pasur gjithmonë të njëjtin mendim dhe nuk jemi pajtuar gjithmonë rreth vendimeve të politikave ose për drejtimet, por mendoj se presidenti Biden e bëri të qartë përkrahjen e tij të fortë për Izraelin në një mënyrë shumë domethënëse dhe mendoj se edhe presidenti i zgjedhur Trump gjithashtu e ka deklaruar këtë. Mendoj se të qenët miq nënkupton se ju nuk pajtoheni gjithmonë, por prapëseprapë mund të mbeteni miq.

Berat Buzhala: Presidenti Biden e vizitoi Izraelin vetëm disa orë pas aktit terrorist që ndodhi në vendin tuaj. Çfarë e bën Izraelin një aleat kaq të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara? Kemi nevojë që të marrim ca shënime këtu, sepse...

E dini, Lindja e Mesme është zonë strategjike dhe Izraeli është demokracia e vetme në tërë këtë zonë. Dua të them, ne jemi të rrethuar me shtete...

Jo shumë miqësore.

Tamara Ziv: Mirë, jo shumë miqësore është një mënyrë për t’i përshkruar ato, por shumë prej tyre nuk janë as demokraci dhe fakti që ne kemi mendime të njëjta, i kemi vlerat e njëjta dhe vlerat e njëjta themelore demokratike dhe që Izraeli është duke u zhvilluar në atë mënyrë – mendoj se kjo na bën aleatë shumë të rëndësishëm në këtë rajon të botës.

Berat Buzhala: Është shumë interesante. Desha të kthehem tek ajo që ndodhi në tetorin e vitit të kaluar. Rreth 1.200 njerëz u vranë, apo jo, dhe disa qindra u rrëmbyen?

Tamara Ziv: Po.

Berat Buzhala: Tani, pas armëpushimit me Hezbollahun, armëpushimi me Hamasin nuk duket shumë i dalluar. Sa jeni larg arritjes së paqes me palestinezët?

Tamara Ziv: Siç e përmendët ju, më 7 tetor (të vitit të kaluar), Hamasi, që është organizatë terroriste, e sulmoi Izraelin me më shumë se tre mijë terroristë, të cilët depërtuan në Izrael përgjatë kufirit nga Rripi i Gazës dhe në mënyrë shumë mizore vranë për një ditë 1.200 njerëz, nga foshnjat te njerëzit e moshuar, nga njerëzit me aftësi të kufizuara te kafshët, qentë, kuajt. Vranë këdo e çfarëdo që mund të vrisnin. Ata në mënyrë të egër përdhunuan gra, dogjën familje për së gjalli dhe morën 250 pengje e i dërguan në Rripin e Gazës, pa i mundësuar as një herë asnjë organizate ndërkombëtare që t’i shihte ata. Kryqi i Kuq nuk ka parë asnjëherë madje as një prej tyre. Ne e dimë se ata mbahen në kushtet më të këqija të mundshme që mund të imagjinohen. Ata mbahen në tunele nëntokësore që zor se kanë ajër, që janë tepër të vogla. Një person madje nuk mund të qëndrojë në këmbë drejt brenda tyre. Ata po lihen të vdesin urie, po përdhunohen, po torturohen. Disa prej tyre kanë vdekur në robëri. Për momentin ende kemi 100 pengje në Rripin e Gazës. Mendoj se, si rezultat i ndryshimeve që janë duke ndodhur tani në luftë, fakti që Hezbollahu është dobësuar në masë domethënëse dhe ne kemi nënshkruar një marrëveshje armëpushimi me të dhe Hezbollahu në të vërtetë e ka ndërprerë lidhjen që e kishin njoftuar, sepse në fillim, më 7 tetor, ata kishin thënë se për aq gjatë sa Izraeli të ishte në luftë me Rripin e Gazës, ne do të jemi në luftë me Izraelin, dhe ata për më shumë se një vit, hidhnin raketa përditë, raketa kundërtanke, raketa ajër – ajër, ajër – tokë, çfarëdo, qindra raketa në ditë. Para dy muajve, ne vendosëm që t’i ndryshonim situatën dhe lojën dhe në të vërtetë arritëm që në masë shumë domethënëse ta dobësonim Hezbollahun. Udhëheqësia e tyre është eliminuar, nga Nasrallahu te shumë udhëheqës të tjerë të Hezbollahut. Ne arritëm që ndoshta të shkatërronim rreth 80 për qind të arsenalit të Hezbollahut. Është shokuese të mendohet se arsenali i Hezbollahut ishte i pesti më i madhi në botë sa u përket raketave.

Berat Buzhala: I pesti më i madhi? Organizatë joshtetërore.

Tamara Ziv: I pesti më i madhi. Pas Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Turqisë – Hezbollahu.

Berat Buzhala: A është duke u mbajtur armëpushimi?

Tamara Ziv: Po. Të kthemi te Gaza dhe pengjet. Derisa pengjet nuk lirohen, nuk do të ketë përfundim të kësaj lufte, sepse ne nuk mund t’i lëmë pengjet tona në duart e Hamasit dhe mendoj se diçka është duke ndryshuar brenda Hamasit, sepse ata e kuptojnë që boshti iranian është thyer, sepse Hezbollahu është dobësuar, Siria ka rënë dhe këta të gjithë janë prokura iraniane të cilët Irani ka qenë duke i mbështetur me dhjetëra miliarda dollarë në vit me qëllim të ndërtimit të infrastrukturës së terrorit në shtete. Pra, fakti që këto ndryshime kanë ndodhur dhe në të vërtetë përkrahësit e tyre të mëdhenj janë shumë të dobësuar i ka bërë ata që të kuptojnë se ndoshta është më mirë që edhe ata ta ndryshojnë lojën dhe me shpresën për arritjen e një lloj marrëveshjeje të armëpushimit edhe me Hamasin.

As njerëzit më pro-hebrenj dhe pro-izraelitë në botë nuk besonin fillimisht se Izraeli kishte kapacitete për t’u marrë me dy, tri, katër fushëbeteja.

Berat Buzhala: Shtatë.

Tamara Ziv: Shtatë. Irani, rebelët Houthi (të Jemenit), Hezbollahu, Bregu Perëndimor, Gaza...

Grupet militante irakiane, Siria.

Berat Buzhala: U dëshmuat shumë prej tyre se ishin gabim. Edhe zyrtarë të lartë në Uashington... A është kaq i fuqishëm Izraeli në teknologji dhe a ka kapacitete për t’i mbajtur të gjitha këto fushëbeteja njëkohësisht?

Tamara Ziv: Mendoj se e kemi dëshmuar këtë, kjo është situata.

Berat Buzhala: Shumë njerëz po thonë se ajo që ju ia bëtë Hezbollahut i ndryshoi dinamikat në Siri. E kemi parë Asadin duke u larguar nga vendi, realitet i ri në Siri dhe, sipas të gjitha gjasave, realitet i ri në Iran. A po dalim nga kjo luftë me një dinamikë të re në Lindjen e Mesme?

Tamara Ziv: Besoj se po. Besoj se ka ndryshuar loja në Lindjen e Mesme. Ende ka shumë gjëra të panjohura. Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë në Siri, se çfarë lloji i udhëheqësisë do ta marrë kontrollin atje dhe nëse do të jenë ish-fraksione të al-Qaedas apo ISIS-it, apo qarqe demokratike nga Siria. Kjo mbetet të shihet, por mendoj se është e qartë se Lindja e Mesme ka ndryshuar. Mendoj se Libani tani ka një mundësi të vërtetë për ta përzënë Hezbollahun, sepse Hezbollahu vërtet e ka marrë kontrollin e Libanit. Në të vërtetë, Hezbollahu është Irani që e ka marrë kontrollin e Libanit. Mendoj se fakti që Hezbollahu është dobësuar dhe që përkrahja iraniane gjithashtu... Mekanizmat kanë ndryshuar, sepse shumica e municionit dhe e përkrahjes iraniane është kanalizuar nga Irani, përmes Sirisë e në Liban dhe fakti që kjo pjesë e mozaikut, Siria, ka rënë në duar të tjera dhe nuk është më nën kontrollin iranian, është gjithashtu diçka që e ndryshon lojën. Mendoj se gjërat do të ndryshojnë. Mendoj se ende do të shohim ndryshime duke ndodhur në Liban. Siria është ende e panjohur. Unë besoj se diçka mund të ndodhë edhe në Iran dhe, natyrisht, edhe Hamasi ka parë që realiteti është duke ndryshuar.

Berat Buzhala: Shumë analistë ushtarakë që po i lexoj thonë se tek sulmet e ndërsjella mes Iranit e Izraelit, kur i erdhi radha Izraelit, sulmi ndaj Iranit nuk ishte vetëm simbolik, por Izraeli diti se ku ta vinte shënjestrën dhe kjo i dobësoi kapacitetet ushtarake të Iranit. A mund të na tregoni më shumë për këtë?

Tamara Ziv: Ju e dini se ne për shumë vjet kemi qenë duke e paralajmëruar botën për Iranin dhe kemi qenë duke paralajmëruar se Irani është shtet terrorist dhe është duke zhvilluar armë bërthamore dhe është duke zhvilluar raketa strategjike, raketa me rreze të gjatë dhe, natyrisht, inteligjenca jonë ka qenë duke punuar me vite për të kuptuar se çfarë është duke ndodhur në Iran dhe duke u përpjekur që ta paralajmërojë botën për këtë dhe, natyrisht, në Liban e kështu me radhë. Pra, ushtria jonë e dinte se çfarë ishte duke bërë.

Berat Buzhala: Ju i menaxhuat shumë mirë luftën dhe fushën e betejës, por një fushë ku Izraeli ishte i mangët, ishte opinioni publik. Cila do të ishte një gjë që ju do të donit ta shtrinit dhe ta përmendnit në lidhje me propagandën, në lidhje me lajmet, me lajmet e rreme, në TikTok, në Facebook, kudo, që nuk janë të vërteta, por që njerëzit i besojnë si të vërteta?

Tamara Ziv: Mendoj se njëra nga gënjeshtrat më të këqija është të thuhet se Izraeli është duke kryer gjenocid në Rripin e Gazës. Mendoj se njerëzit nuk kuptojnë që ishte Hamasi ai që e sulmoi Izraelin e jo anasjelltas. Ishte Hamasi ai që vrau 1.200 civilë brenda një dite dhe lufta që ata e nisën e filloi tërë këtë situatë. Njëra nga strategjitë e Hamasit është që ta rrënjosë veten në shoqërinë civile. Ata i ndërtuan selitë e tyre brenda spitaleve, brenda shkollave, brenda xhamive. Nuk ishte pothuajse asnjë shtëpi në Rripin e Gazës që nuk kishte arsenal ushtarak. Nuk është pothuajse asnjë shtëpi që nuk është e lidhur në sistemin e tuneleve nëntokësore në Rripin e Gazës. Hamasi ka qenë qeverisësi i vetëm i Gazës që nga viti 2007. Izraeli u tërhoq nga Gaza. Ata e patën mundësinë që të ndërtonin një “Singapor” në Gaza, por, në vend të kësaj, ata vendosën që t’i investonin të gjitha paratë dhe burimet e tyre në ndërtimin e kapaciteteve të tyre ushtarake dhe krijimin e kësaj infrastrukture enorme të tuneleve që për qëllim e kishte luftën. Tani, nëse nuk është e qartë që Hamasi është përgjegjës për vuajtjet e popullit palestinez... Dua të them se lufta është luftë dhe lufta sjell viktima dhe Izraeli kurrë nuk e ka shënjestruar qëllimisht popullsinë civile. Është e qartë që civilët janë lënduar dhe është dhimbje e fortë të shohësh që njerëz të pafajshëm janë lënduar ose vrarë në luftë, por vërtet kjo është përgjegjësi e Hamasit, sepse strategjia e tij ishte që të fshihej në mesin e popullsisë civile dhe që ta ndërtonte infrastrukturën e vet brenda infrastrukturës civile. Nëse jeni duke u ballafaquar me një organizatë terroriste, nuk është lloji i njëjtë i luftës si shteti me shtet.

Berat Buzhala: Po, por a duhet të ketë një kufi për shtetet, sepse ne të gjithë e dimë se Hamasi është organizatë terroriste që përdor trupa njerëzish si mburojë për t’u mbrojtur nga sulmet nga Izraeli, por a duhet të bjerë Izraeli në kurth, sepse...

Çfarë zgjedhjesh keni?

Tamara Ziv: Nuk e di, por secili po e bën këtë pyetje, sepse...

Gaza është njëra nga vendet me popullsinë më të dendur në botë. Në një rrip shumë të vogël toke janë gati dy milion njerëz dhe shumica e njerëzve jetonin në kampe refugjatësh. Tani, nëse Hamasi do ta rrënjoste veten në mesin e kësaj popullsie shumë, shumë të dendur dhe do të ishin duke ju kërcënuar ju, çfarë supozohet të bëni? Vetëm të uleni në kufi, në rrethojnë e kufirit, dhe të thoni: “Në rregull, ne nuk do të lëndojmë asnjeri. Ju lutem, vazhdojeni aktivitetin tuaj terrorist”? Çfarë mund të bëni? Kjo është vetëmbrojtje. Ne kurrë nuk duam të vëmë në shënjestër civilë. Duhet të them se që nga fillimi i luftës, ne kemi bërë përpjekje shumë të mëdha për t’i mbrojtur civilët. Kemi hedhur fletushka nga ajri për t’i thënë popullsisë civile: Ju lutem, evakuohuni nga kjo zonë dhe shkoni te kjo zonë. Kemi qenë duke punuar shumë për hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës. Fatkeqësisht, shumë prej kamionëve që po hynë në Rripin e Gazës me ndihma humanitare për popullin po rrëmbehen nga Hamasi, ose po bëhet tregti me to dhe po vidhen ndihmat humanitare nga civilët e po u rishiten ato me çmime shumë të larta. Ky është përdorim shumë cinik i ndihmave humanitare.

Berat Buzhala: Shumë njerëz raportuan se, kur u vra Yahya Sinëar-i, dëgjuan festime në Gaza në mesin e popullsisë civile. Çfarë reputacioni ka Hamasi në Gaza? A keni ju, a ka Izraeli ndonjë të dhënë sa i përket reputacionit të Hamasit atje?

Tamara Ziv: Në fillim të luftës, mendoj se Hamasi ishte shumë i popullarizuar dhe shumica e popullsisë së Gazës po e përkrahte atë që e bëri ai, por më duhet të them se ata që nuk janë mbështetës të Hamasit kanë vuajtur shumë nga Hamasi. Hamasi i torturon ata, i vret, Hamasi i terrorizon njerëzit që nuk shkojnë prapa tij, prandaj mendoj se popullsia në Gaza vërtet është mërzitur me Hamasin. Ata do të ishin shumë të lumtur, nëse Hamasi do të mposhtej dhe do të zhdukej nga Rripi i Gazës, por ata janë të terrorizuar. Shihen disa shenja protestuese kundër Hamasit dhe ca shenja gëzimi, kur i ndodh diçka grupit, por njerëzit janë vërtet të frikësuar për t’u shprehur, sepse e dinë që nëse e bëjnë këtë, do të paguajnë një çmim më pas.

Berat Buzhala: Por situata politike mes Izraelit e Gazës nuk do të kthehet aty ku ka qenë para tetorit të vitit të kaluar, apo jo? Izraeli nuk do të pranojë që ta ketë Hamasin aty si organizatë në pushtet dhe duke e vazhduar punën si zakonisht?

Tamara Ziv: Jo, ne nuk mund ta pranojmë këtë. Mendoj se për momentin ka diskutime mes palestinezëve, ata po mundohen që të krijojnë një lloj komiteti civil që do ta qeverisë Rripin e Gazës, në të cilin do të përfshihet Autoriteti Palestinez, por ende është e paqartë se kush do ta qeverisë Rripin e Gazës.

Berat Buzhala: Bregu Perëndimor qeveriset nga OÇP-ja (Organizata për Çlirimin e Palestinës), apo?

Tamara Ziv: Nga Autoriteti Palestinez.

Berat Buzhala: Ata nuk kanë degë në Gaza?

Tamara Ziv: Tani jo, por janë në diskutime me ta.

Berat Buzhala: Si është situata në Bregun Perëndimor, sepse ishin disa tensione para disa muajve. A është më qetë tani?

Tamara Ziv: Problemi është që ndikimi i Iranit ka arritur edhe në Bregun Perëndimor dhe Bregu Perëndimor ishte plot me grupe terroriste që po synonin dhe që kanë kryer shumë sulme terroriste dhe ende po kryejnë. Pra, që nga 7 tetori (i vitit të kaluar), Bregu Perëndimor ka qenë gjithashtu njëri nga frontet ku ne është dashur të luftojmë. Ajo që kemi qenë duke e bërë atje ishte shënjestrimi i grupeve terroriste specifike, e jo popullsinë.

Berat Buzhala: Gazetarë e analistë me ndikim në botën perëndimore po thonë që këto dy luftëra, në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, janë të ndërlidhura. A janë ato të ndërlidhura? A shihni ju ndonjë lidhje mes tyre?

Tamara Ziv: Jo dhe aq.

Sepse ata thonë që Arabia Saudite ishte shumë afër që ta njihte Izraelin dhe anasjelltas dhe Irani deshi që ta pengonte këtë lidhje, duke ditur se Irani është gjithashtu i afërt me Rusinë dhe ata e hapën këtë front këtu vetëm për ta bllokuar marrëdhënien mes Arabisë Saudite e Izraelit.

Kjo sigurisht se është e mundshme. Mendoj se nuk është 100 për qind e qartë nëse motivi për 7 tetorin... Dua të them që Hamasi vendosi se kur deshi ta niste këtë sulm për arsyet e veta. Ne e dimë se ata deshën ta bënin këtë rreth gjashtë muaj më herët dhe, ndoshta për arsye operacionale, e bënë atë atëherë kur e bënë. Po, ata nuk donin që Izraeli t’i afrohej Arabisë Saudite, por unë nuk do të bëja një lidhje të drejtpërdrejtë mes Ukrainës dhe asaj që është duke ndodhur në Lindjen e Mesme.

Berat Buzhala: A ka hetuar ose a është duke hetuar Izraeli se si u bë që mijëra ushtarë terroristë nga Gaza ia dolën që ta kalonin kufirin, duke e ditur që Izraeli njëkohësisht është shteti i njëjtë që me pejxherë shkatërroi një organizatë të tërë si Hezbollahu? A jeni duke e hetuar këtë?

Tamara Ziv: Po, pa dyshim. 7 tetori ishte humbja jonë më e rëndë. Ndodhi për shkak të keqkuptimeve që i kishim. Ne mendonim që Hamasi ishte i interesuar për zhvillimin ekonomik të Rripit të Gazës. Ne mendonim se ata ishin të interesuar që të arrinit te një lloj i ekzistimit të përbashkët me Izraelin dhe, për atë arsye, trupat tona nuk ishin vërtet të gatshme në kufi me Rripin e Gazës në atë periudhë kohore. Mendoj se ishte gabim i inteligjencës sonë. Kishte shenja treguese që ata po planifikonin diçka, por inteligjenca nuk u analizua si duhet. Pa dyshim, na u dha një goditje e tmerrshme, por duhet të them se nga ajo kohë, ushtria ka bërë shumë punë për gjetjen e gabimeve të saj dhe përmirësimin e tyre. Mendoj se po i shohim rezultatet tani, ajo që ushtria e ka arritur vitin e fundit ose për 14 muaj dhe, natyrisht, kemi kaluar nëpër një proces të rimenduarit dhe rimësuarit në mënyrë që vërtet të jemi në gjendje për ta kontrolluar situatën e 7 tetorit, për t’i çliruar vendbanimet tona që në të vërtetë disi ishin pushtuar nga Hamasi dhe, natyrisht, për t’u hakmarrë.

Berat Buzhala: Ju thatë që rreth 100 njerëz ende po mbahen peng në Gaza. Sipas të dhënave tuaja, inteligjencës suaj, a po mbahen ata në Gaza?

Tamara Ziv: Po, natyrisht.

Berat Buzhala: Pra, nuk ka pasur gjasa që ata të jenë në shtete të ndryshme dhe për t’i kthyer atje për të bërë pazare?

Tamara Ziv: Nuk mendojmë ashtu.

Ne mendojmë se të gjithë janë në Gaza.

Berat Buzhala: Ju mendoni se shumica prej tyre janë gjallë dhe pas marrëveshjes do të kthehen të shëndoshë te familjet e tyre?

Tamara Ziv: Të shëndoshë nuk mendoj.

Berat Buzhala: Dua të them, të gjallë? Termi i duhur.

Tamara Ziv: Gjallë. Ne e dimë se një numër i konsiderueshëm nga 100 pengjet nuk janë gjallë tani, që janë vrarë në robëri. Nuk i dimë numrat e saktë se kush është gjallë e kush jo. Lutemi përditë për kthimin e tyre. Nuk do të mund të jemi shoqëri e plotë, nuk do të mund të shërohemi si shoqëri derisa të kthehen pengjet.

Berat Buzhala: Kosova dhe Shqipëria, dy shtete me shumicë myslimane sunite, mendoj se ishin përjashtim sa i përket konfliktit atje. A e shihni ju kështu?

Tamara Ziv: Po, pa dyshim. Ne ishim tepër mirënjohës për përkrahjen që e pranuam nga Kosova e nga Shqipëria. Që nga 7 tetori, kryeministri, presidentja, të tjerë nga niveli politik, deri te civilët, e shprehën dënimin e ngjarjeve nga ta, e shprehën mbështetjen e tyre për Izraelin, e shprehën dhimbjen e përzemër për atë që ndodhi dhe duhet të them se kjo është vërtet prekëse. Ne ishim shumë falënderues ndaj udhëheqësisë, ndaj të gjitha partive politike dhe në përgjithësi ndaj popullit të Kosovës që vërtet ka qëndruar me Izraelin gjatë tërë këtij viti shumë të vështirë që e kemi përjetuar.

Berat Buzhala: Në të vërtetë, ne nuk jemi aq unik si shoqëri, kur bëhet fjalë për probleme, por për këtë konflikt, unë nuk pashë ndonjë thyerje të madhe mes partive politike tradicionale. Shumica prej tyre, jo vetëm Qeveria, por edhe forcat opozitare e përkrahën Izraelin për atë që është duke e bërë. A duhet të shfrytëzohet kjo mes dy shoqërive, mes dy vendeve, për ta fuqizuar bashkëpunimin, sepse nëse kjo ndodhi në këtë moment specifik, mund të ketë një perspektivë të mirë për ne?

Tamara Ziv: Pa dyshim. Edhe para se ta njihnim njëri-tjetrin dhe para se të vendosnim marrëdhënie diplomatike, e thamë në fillim të bisedës sonë sot, lidhja mes popullit të Izraelit dhe popullit të Kosovës ka qenë e fortë për shumë, shumë, shumë vjet dhe mendoj se kjo miqësi është mbajtur në këtë vit shumë të vështirë për Izraelin dhe populli i Kosovës ka qenë një mbështetje për Izraelin dhe natyrisht se kjo është një miqësi që ne jemi duke e zhvilluar dhe ne vërtet duam që ta vazhdojmë zhvillimin e saj dhe ta sjellim marrëdhënien në shumë më shumë drejtime, e dini, zhvillimi ekonomik, shkëmbimi kulturor, turizmi, lidhja mes universiteteve e shumë fusha të ndryshme.

Berat Buzhala: A mendoni se Izraeli ose kompanitë izraelite do të ishin të interesuara për të investuar në Kosovë në të ardhmen?

Tamara Ziv: Kosova nuk është treg i njohur mirë në Izrael dhe ne jemi duke punuar shumë që bizneset izraelitë të vijnë në Kosovë dhe të zbulojnë se cili është potenciali këtu dhe si mund të zhvillojmë marrëdhënie ekonomike. Siç thashë, vitin e kaluar kemi qenë kryesisht të përqendruar brenda vendit. Shumë prej njerëzve tanë të biznesit janë rekrutuar në ushtri dhe kanë bërë shërbim rezervistësh për 200 – 300 ditë gjatë vitit të fundit. Pra, ata disi i kanë neglizhuar bizneset e tyre dhe tani është një armëpushim me Hezbollahun në Liban dhe shpresojmë që do të arrijmë një lloj armëpushimi edhe në Gaza dhe do të jemi në gjendje që ngadalë ta rindërtojmë veten dhe, natyrisht, t’i rindërtojmë aftësitë ekonomike të Izraelit dhe, natyrisht, të vijmë e të mundohemi t’i zbulojmë mundësitë edhe këtu në Kosovë.

Berat Buzhala: Pse iu nevojit Izraelit kohë kaq e gjatë për ta njohur Kosovën, sepse ne e shpallëm Pavarësinë më 2008 e pastaj Izraeli e njohu atë në vitin 2020. Ne jemi shumë mirënjohës, por pse u desh kaq shumë kohë?

Tamara Ziv: Kjo është pyetje e mirë. Ka pasur mendime të ndryshme për këtë çështje, por gjëja kryesore është që marrëdhënia u vendos. Ka mundur të jetë edhe për shkak të kornizës, jo saktësisht në kornizë, por afër kornizës së Akordeve të Abrahamit, që u nënshkruan në shtatorin e vitit 2020, të cilat disi e hapën rrugën për marrëdhënie me shumë shtete me të cilat nuk kishim marrëdhënie më parë dhe për Kosovën, e dini, vendimi u mor në shtatorin e vitit 2020 në Uashington.

Po, ishte në të vërtetë në mënyrë spektakolare.

E dini, gjëja kryesore është që kjo ndodhi dhe ne jemi duke e ndërtuar marrëdhënien.

Berat Buzhala: Zonja ambasadore, faleminderit për këtë intervistë! Isha i nderuar që ju pata këtu.

Faleminderit shumë!

Gjithashtu, siç folëm prapa kamerave, ne jemi shumë falënderues për atë që shumë hebrenj, njerëz fisnikë, e kanë bërë për vendin tonë. Ne e përmendëm Elie Ëiesel-in.

Mund të përmendim edhe disa të tjerë.

Tamara Ziv: Po, edhe disa të tjerë. Ata ishin absolutisht miqësorë.

E kemi z. Eli, i cili erdhi këtu menjëherë pas luftës duke i përfaqësuar edhe Izraelin, edhe komunitetet hebreje amerikane. Ai erdhi këtu dhe e nisi rindërtimin e shkollave e xhamive, krijoi qendra për trajnime profesionale, mbështeti spitale e gjëra të tilla dhe pastaj e solli Dr. Moshe Landsman-in, i cili ishte psikolog që ndihmoi në themelimin e Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe, deri në vdekjen e tij vitin e kaluar, vazhdoi që të vinte në Kosovë çdo muaj. Ai trajnoi më shumë se një mijë psikologë këtu në Kosovë dhe ndihmoi për krijimin e Qendrës për Trajtimin e Autizmit këtu në Kosovë dhe vërtet ishte i dashuruar me njerëzit këtu dhe i përkrahu ata. Mendoj se para dy vjetëve pranoi një medalje nderi nga Ministria e Arsimit për gjithçka që kishte bërë për më shumë se 20 vjet për Kosovën.

Berat Buzhala: Nëse ekziston një këshillë që do t’ua jepnit kosovarëve, cila do të ishte ajo?

Tamara Ziv: Ëndërroni një vizion për vendin tuaj dhe punoni fort për ta arritur atë!

Lajme të ngjashme