"Alfabeti 27 shkronja": Tre shokë do të dëshmojnë që Basha e dinte alfabetin - Në seancë shfaqet duke qeshur Gafurri që e përqeshte deputetin e pushtetit
Çdo gjë filloi me një status në rrjetin social në Facebook, ku Gafurr Abdullahu akuzoi deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, që ky i fundit deri vonë ka menduar se alfabeti i Gjuhës Shqipe i ka 27 shkronja.
Pas këtij veprimi të Abdullahut, Basha e paditi në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku edhe sot u mbajt seanca.
Në këtë seancë ka munguar deputeti Basha, ndërsa Abdullahu ishte i pranishëm.
Mbrojtësi i tij tha se mbetet pranë propozim për dëgjimin e tre dëshmitarëve, ndërsa tha se e kundërshton përgjigjen në padi.
“I padituri ka bërë shpifje dhe fyerje në postimet në “Facebook” më 11 dhe 12 shtator 2022 në të cilat shpifje tek paditësi kanë shkaktuar dëm emocional dhe material, duke marrë parasysh se këto shpifje/fyerje janë shpërndarë në shumë media dhe portale të ndryshme.” – tha avokati i Bashës.
Më 12 dhjetor 2023 është caktuar seanca e radhës, në të cilën pritet të dëshmojnë tre shokë të Bashës, Valon Heta, Melos Jashari dhe Fatbardh Ramadani.
Çfarë kishte ndodhur?
Një vit më parë, Gafurr Abdullahu, pretendon se ka qenë në një klasë me deputetin Dimal Basha, në rrjetin social në Facebook kishte publikuar notat e deputetit të VV-së, dhe iu kishte drejtuar kryeministrit Kurti dhe deputetit Basha me fjalët se: Kush mëson ka nota të mira.
Më pas Abdullahu ka shkruar se, shoku i klasës së tij Dimal Basha, deri vonë ka menduar që alfabeti i gjuhës shqipe i ka 27 shkronja. Ai e ka përfunduar me një mesazh për deputetin duke i thënë se: Kur s’ta don, s’ta don.
Gazeta Nacionale kishte siguruar dëftesën e vitit të tretë të shkollës së mesme për z. Basha, në të cilën shihej se atij i ishte mbyllur një njësh (1). Nota e dobët i ishte vendosur në lëndën e Biologjisë dhe kjo kishte bërë që në këtë vit ai të mbetej në provim. Tek pas riprovimit këtë notë e kishte bërë dysh (2).
Kjo kishte ndodhur në vitin 1997, kur Basha kishte qenë tetëmbëdhjetë vjeçar.
Por, njëshi në Biologjisë nuk ishte e vetmja notë e dobët.
Basha shpesh prezanton shifra të ndryshme për të përshkruar suksesin e qeverisë, por si nxënës nuk i kishte punët mirë me numra. Në lëndën e matematikës ai ishte vlerësuar me dysh (2).
Me të njëjtën notë ishte vlerësuar edhe në lëndën e Gjuhës Frënge dhe atë të Fizikës.
Pak më i mirë ishte në Gjuhën Shqipe, Gjeografi, Logjikë dhe Kimi, ku në këto lëndë ishte vlerësuar me notën tresh (3).
Me notën katër (4), Basha ishte vlerësuar vetëm në lëndën e Historisë.
Ndërsa, me notën maksimale, pesë (5), ai ishte vlerësuar në lëndët Edukatë Fizike, Gjuhë Angleze dhe Mbrojtje.
Duke u bazuar në këto nota, rezultati përfundimtar ishte “mirë” (3). Ky rezultat nuk është edhe aq i kënaqshëm për nxënësit ambiciozë.
Nëse do të referohemi gjuhës së kryeministrit Albin Kurti, të cilën e përdori në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së do të thotë që “mirë nuk është shkëlqyeshëm”.
Megjithatë, deputeti Basha në gjimnaz të shkëlqyeshme e kishte notën e sjelljes, e cila i është evidentuar në dëftesë.

