A u rritën çmimet e ushqimeve për Vit të Ri?
Tashmë viti 2023 është drejt përfundimit. Si gjithnjë, qytetarët shpenzojnë më shumë për festën e ndërrimit të motmotit. Natyrisht, krahas shpenzimeve, pothuajse gjithnjë qytetarët ankohen edhe për shtrenjtim të produkteve gjatë kohës së festave të fundvitit.
Por a janë shtrenjtuar edhe këtë vit çmimet e produkteve?
Sot qëndrova në “Tregun e Gjelbër” në Prishtinë në kërkim të përgjigjes dhe për ta kuptuar më saktësisht këtë çështje. Mendimet e qytetarëve ishin gati në të njëjtën vijë, pasi ankohen për çmime të larta.
Në “Tregun e Gjelbër” kishte blerës, të cilët i rrëfyen gazetares së Nacionales mbi shitblerjet e tyre, veçanërisht nëse ka shtrenjtim të çmimeve në javën e fundit të vitit.
Një qytetar u ankua për çmimet e shtrenjta në këtë treg, që mbetet goxha i vizituar nga qytetarët e Prishtinës.
“Pasha Zotin për çdo ditë çmimet janë duke u shtrenjtu. A dëgjove? Edhe ku-ku për popull çka i ka gjetë! Me qëllim i shtrenjtojnë, se hyra në treg, sen nuk mora, se tonat shtrenjtë. Djathi 5 euro, llogarite”– deklaroi një qytetar.
Ndërsa gazetarja Culaj e pyeti këtë qytetar se cilat produkte të tjera janë shtrenjtuar.
“Tonat more, me tesha, me krejt, heja. Supën, me marrë [ta krahasosh] qysh u kanë vjet, sivjet tri herë më shtrenjë. Çka të marrësh... mish, krejt. Vallahi tonat shtrenjtë”– shtoi ky qytetar në moshë, si përgjigje ndaj pyetjes së gazetares.
Njësoj mendon edhe një qytetare tjetër, që po blinte në këtë treg të Prishtinës. Madje, ajo deklaroi se çmimet zakonisht rritet afër festave.
“Gjithë afër festave, edhe para festave, qe një vit janë tepër të hatashme”– deklaroi ajo.
Ndërsa një bashkëqytetare e saj deklaroi se ka edhe lirime, megjithëse jo aq sa duhet.
“E shfrytëzojnë (festën për rritjen e çmimit v.j.), por ka edhe pak lirime, por jo veç aq sa duhet”– deklaroi ajo.
“Më të shtrenjta janë pak, ka dallim 30 - 40 centë”– deklaroi një tjetër qytetar.
Sigurisht, tregtarët kanë tjetër mendim. I pyetur nëse ka shtrenjtime për vitin e ri, një tregtar mohoi një gjë të tillë.
“Jo, se s’ka blerës për me i shtrenjtu çmimet, kur ka blerësa, shtrenjtohen çmimet. Në treg nuk janë shtrenjtu, s’ka as njerëz, zbrazët pazari”– deklaroi ky shitës në “Tregun e Gjelbër” në Prishtinë.
Edhe një tjetër tregtar vlerësoi se nuk ka ngritje të çmimeve deri më tani.