66 vota për pushtet: Këta janë ministrat e Kurtit që po përballen me drejtësinë, aktakuza dhe gjyqet - NACIONALE

66 vota për pushtet: Këta janë ministrat e Kurtit që po përballen me drejtësinë, aktakuza dhe gjyqet

2 javë më parë

nga Eriola Cacaj

Me 66 vota për, Parlamenti i Kosovës ka votuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti, duke i dhënë atij mandatin e tretë radhazi në krye të ekzekutivit. Kurti deri më tani kishte ushtruar detyrën si kryeministër në detyrë.

Megjithatë, kabineti i ri qeveritar përfshin disa ministra që janë përballur ose po përballen me procese gjyqësore.

Vetë kryeministri Kurti është dënuar më herët për dy vepra penale që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Në janar 2018 ai u dënua me burgim me kusht. Për shkak të ndalesave ligjore, ai nuk kishte mundur të kandidonte për deputet në zgjedhjet e vitit 2021.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në vitin 2017 për përdorim të mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personave zyrtarë, lidhur me një incident me gaz lotsjellës në Kuvend më 10 gusht 2016. Ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por më 3 shkurt 2026 Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rigjykim.

Nën aktakuzë është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili bashkë me disa deputetë të tjerë akuzohet për aktivizim dhe hedhje të gazit lotsjellës në një seancë plenare, duke penguar funksionimin e Kuvendit. Çështja po shqyrtohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Me të njëjtën aktakuzë përballet edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli. Ajo, së bashku me Xhelal Sveçlën, Salih Zybën dhe Drita Millakun, akuzohen për përdorim të mjeteve të rrezikshme dhe pengim të funksionimit të Kuvendit. Pacolli është intervistuar gjithashtu nga Prokuroria Speciale lidhur me dyshime për ndarjen e granteve në Ministrinë e Bujqësisë, ku pretendohet se mund të kenë përfituar familjarë të saj.

Zëvendëskryeministri për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka, akuzohet për përdorim të forcës fizike dhe kërcënim ndaj dy personave në një incident në Prizren, si dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fondeve publike.

Në janar 2026 nga Prokuroria Speciale është intervistuar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ndonëse detaje për rastin nuk janë bërë publike.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ishte përballur me aktakuzë për mosdeklarim të pasurisë. Ajo u shpall e pafajshme nga Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2024.

Qeveria e re nis mandatin mes sfidave politike dhe proceseve gjyqësore që përfshijnë disa nga emrat kryesorë të kabinetit.

Lajme të ngjashme