Kush janë Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci të përfshirë në rastin mes Capave dhe Sekiraqëve që gjenden në arrati
Nga motori katërrrotësh që, sipas aktakuzës, u afrua mes të shtënave, deri te sinjali për tërheqje pas vrasjes së Premtim Gashit, dy nga të akuzuarit për rastin e përgjakshëm mes grupeve Capat dhe Sekiraqt nuk u paraqitën në bankën e të akuzuarve. Përderisa gjashtë të pandehur ndodhen në paraburgim dhe një në liri, Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci vazhdojnë të jenë në arrati, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka nisur sot gjykimin në mungesë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Dardan Marevci akuzohet se ishte pjesë e grupit të Capave, që, më 1 shtator 2024, u nis drejt lokalit “From” me qëllim që të privonte nga jeta Salih Sekiraqën dhe anëtarët e grupit të tij.
Në aktakuzë thuhet se Dardani, së bashku me Korab Gashin, Valdrin Ademin, Erd Marevcin, tani të ndjerin Premtim Gashi dhe persona të tjerë të paidentifikuar, pasi ishin maskuar, ishin pajisur me armë dhe kishin ndërruar targat e tri veturave dhe u drejtuan drejt lokalit ku ndodhej grupi kundërshtar.
Sipas përshkrimit të Prokurorisë, pasi Robert Llumnica kishte filluar i pari të shtinte me armë, Premtim Gashi, Dardan Marevci dhe Korab Gashi kishin arritur deri në tarracën e lokalit. Aty, sipas aktakuzës, Premtim Gashi me armë automatike AK-47 dhe Dardan Marevci me armë zjarri kishin shtënë në drejtim të Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit.
Prokuroria pretendon se, gjatë tërheqjes nga vendi i ngjarjes, pikërisht Dardan Marevci ishte ai që u dha sinjal pjesëtarëve të grupit për t’u larguar, pasi Premtim Gashi ishte vrarë nga Robert Llumnica.
Për këto veprime, ai akuzohet, së bashku me Korab Gashin, Valdrin Ademin dhe Erd Marevcin, për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa ngarkohet edhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndryshe nga Dardan Marevci, Endrit Llapashtica nuk akuzohet si pjesë e grupit që shkoi drejt lokalit, por si pjesëtar i grupit të Salih Sekiraqës.
Sipas aktakuzës, pasi Sekiraqa kishte marrë informacion se grupi “Capat” po shkonte drejt lokalit për t’i sulmuar, ishte organizuar një pritë. Në këtë skenar, Prokuroria pretendon se Endrit Llapashtica kishte vepruar në koordinim me Robert Llumnicën, Salih Sekiraqën dhe Fatos Abazin.
Në aktakuzë thuhet se, në kohën kur po shkëmbeheshin të shtënat me armë, Llapashtica kishte drejtuar një motor katërrrotësh pranë vendit të ngjarjes dhe kishte shtënë disa herë me armë zjarri me qëllim që t’u dilte në ndihmë bashkë të akuzuarve.
Sipas Prokurorisë, si pasojë e veprimeve të grupit të Sekiraqës, mbeti i vrarë Premtim Gashi, ndërsa u plagosën Valdrin Ademi, Korab Gashi dhe persona të tjerë të paidentifikuar.
Për këto veprime, Endrit Llapashtica akuzohet, së bashku me Robert Llumnicën, Salih Sekiraqën dhe Fatos Abazin, për veprën penale “Vrasje e rëndë”, si dhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Të dy, Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci, vazhdojnë të jenë në arrati. Për këtë arsye, Gjykata Themelore në Prishtinë ka nisur sot gjykimin në mungesë ndaj tyre, ndërsa procedura ndaj të akuzuarve të tjerë zhvillohet veçmas.