Ramadani njofton largimin nga Gjilani, dy javë pasi FIFA ia shkëputi kontratën
Zekirija Ramadani që deri më tani ishte trajner i Gjilanit, sot ka njoftuar largimin nga klubi dy javë pasi FIFA ia shkëputi kontratën. Kriza në kampin e skifterëve është arsyeja kryesore e këtij vendimi të FIFA-s, pasi skuadra gjilanase kishte mbetur pa pronar e gjithashtu e zhytur në borxhe për rrjedhojë.
Gjilani edhe zyrtarisht është pa trajner, pasi Zekirija Ramadani me anë të një shkrimi publik në llogarinë e tij në Facebook njoftoi se është larguar nga pozita në fjalë.
Ai ka thënë se qysh para dhjetë ditëve kishte qenë vetë FIFA ajo që shkëputi kontratën e tij, por ai kishte pritur për të parë nëse do të ndryshonte ndonjë gjë brenda e klubit, e që nuk ndodhi.
"Para dhjetë ditëve FIFA shkëputi kontratën time me ekipin e Gjilanit, por unë deri sot kam pritur për ndonjë ndryshim të situatës në klub. Pasi që nuk ka asnjë ndryshim, vendosa t’i jap fund pritjes dhe të mendoj për të ardhmen time si trajner", shkroi ai në "Facebook".

Gjilani po kalon në situatë të rëndë financiare pasi akoma nuk ka arritur që ta gjejë një pronar të ri pas tërheqjes së investitorit kryesor Florim Zuka.
Ramadani gjatë korrikut të këtij viti kishte nënshkruar kontratë dyvjeçare me Gjilanin. Ai bëri një punë vërtet të mirë nëse merren parasysh rrethanat e vështira që u krijuan. Gjilani arrit ta mbyllë fazën vjeshtore të kampionatit në pozitën e 4-t me 27 pikë të tubuara, po aq sa ka edhe Prishtina në vendin e tretë.
Kjo është letra lamtumirëse që shkroi trajneri Ramadani (*e paredaktuar):
Mirupafshim S.C.GJILANI Pas një periudhe tepër të vështirë erdhi edhe fundi. Para dhjetë ditëve FIFA shkëputi kontratën time me ekipin e Gjilanit, por unë deri sot kam pritur për ndonjë ndryshim të situatës në klub. Pasi që nuk ka asnjë ndryshim, vendosa t’i jap fund pritjes dhe të mendoj për të ardhmen time si trajner. Falenderoj të gjithë ata që ishin afër klubit në këtë periudhë mjaft të vështirë. Posaqërisht falenderoj futbollistët, sepse ata, pavarësisht miliona problemeve, dhanë maksimumin dhe janë më meritorët që klubi i Gjilanit sot është në këtë pozitë.
