Zyrtare: Renato Sanches kompleton transferimin te PSG
Tashmë gjithçka ka marrë fund. Renato Sanches i është bashkuar edhe zyrtarisht PSG, ku do ta zhvillojë karrierën e tij si futbollist.
Mesfushori 24-vjeç portugez, Sanches, ka ndarë mendjen. Pas disa javësh që ishte në mes të mëdyshjes se a t'i bashkohej Milanit apo PSG, ai në fund ka zgjedhur që të qëndrojë në Francë, duke ndryshuar skuadër, por jo shtet.
Më herët, në konferencë për shtyp, gjatë ditës së sotme trajneri i PSG, Galtier, e kishte konfirmuar se gjithçka ishte kryer për transferimin e Sanches.
Zyrtarizimi ka ardhur tek në mbrëmjen e sotme, ku PSG me anë të një kumtese për publik ka bërë të qartë se ka angazhuar mesfushorin 24-vjeç në radhët e veta.
🔴 #WelcomeRenato 🔵 pic.twitter.com/iJtcqiHt4v
— Paris Saint-Germain (@PSG_inside) August 4, 2022
Sa i kushtoi PSG blerja e kartonit të Renato Sanches?
Për t'i siguruar shërbimet e Renato Sanches, PSG është dashur të paguajë 15 milionë euro në arkat e Lille, klub i cili e zotëronte kartonin e tij.
Negociatat kanë zgjatur disa javë, ndërsa për kushtet personale kishte disa ditë që lojtari portugez ishte marrë vesh me drejtuesit e klubit parisien.
Sanches është regjistruar si lojtar i ri nga PSG, por në fushë nuk pritet të zbresë deri në javën e ardhshme. Njashtu, raportohet se ai me sukses ka kryer edhe aspektet burokratike dhe teknike, për të pasur më vonë edhe me nënshkrimin e kontratës.
Kësisoj, 24-vjeçari është transferimi i radhës i kampionëve në fuqi të Francës, pasi më herët kanë zyrtarizuar blerje tjera, si: Vitinha, Ekitike dhe Mukiele.
Ambiciet e formacionit të Galtier mbeten të qarta: fitimi i të gjitha trofeve të mundshme, me Ligën e Kampionëve që ngelet synimi parësor dhe ëndrra më e madhe për t'u arritur.
Afrimi i Sanches vjen në të njëjtën ditë kur PSG liroi Wijnaldumin që t'i mbyllte negociatat me Romën, para se të zyrtarizohej te ekipi i Mourinhos në formë huazimi me të drejtë blerjeje.

