Renato Sanches shumë afër kalimit te PSG
Para një kohe dukej se Renato Sanches ishte afër të transferohej te Milani. Hyrja në garë e PSG ka ndryshuar gjithçka. Tanimë zyrtarizimi te parisienët është një hap larg.
Njëri ndër emrat më të kërkuar në këtë afat kalimtar të lojtarëve është ai i Renato Sanches. Klube si Milan dhe PSG kanë shfaqur ambicie të qarta për ta pasur në gjirin e tyre mesfushorin portugez.
Sidoqoftë, me aq sa duket 24-vjeçari preferon që të qëndrojë në Francë, për ta vazhduar karrierën te kampioni në fuqi i Ligue 1, PSG.
Sanches detyrimisht ishte futur në listën e lojtarëve për t'u shitur, për shkak se kontrata i skadonte pas një viti dhe nuk kishte ndërmend që ta vazhdonte bashkëpunimin me skuadrën e Lille.
PSG e siguron Sanchesin me çmim të volitshëm
Fakti që mesfushorit portugez kontrata i skadonte në vitin e ardhshëm, rrjedhimisht ka bërë të mundur që t'i zbriste çmimi i kontratës, sepse, në të kundërten, Lille do të rrezikonte që pas një viti të privohej nga ai falas.
Në të tilla kushte, PSG ka arritur që ta mbyllë marrëveshjen me Lille për 15 milionë euro. Sipas medieve franceze në krye me L'Equipe, ai do t'u nënshtrohet testeve mjekësore gjatë ditëve në vijim në kryeqytetin francez.
Kishte një kohë të gjatë që Sanches ishte dakorduar me PSG rreth kushteve personale. Emri i tij ishte në listën e lojtarëve që trajneri i ri, Luis Campos, e dëshironte me ngulm.
24-vjeçari është dalluar me paraqitje të mira sa ishte pjesë e Lille, ndërsa më herët pati spikatur si lojtar shumë i ri që zhvilloi me një personalitet të lartë Evropianin 2016.
Kësisoj, ai u ble me një pompozitet të lartë nga Bayern në po të njëjtin vit, por nuk arsyetoi pritshmëritë, pasi hasi në shumë probleme për t'u ambientuar në skemat e skuadrës bavareze. Si rrjedhojë, nga vera e 2019-ës iu bashkua Lillet dhe aty rigjeti sërish veten.

