Zyrtare: Portugalia shkëput kontratën me Santos – federata e falënderon për kontributin tetëvjeçar - NACIONALE

Zyrtare: Portugalia shkëput kontratën me Santos – federata e falënderon për kontributin tetëvjeçar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Portugalisë ka njoftuar se ka shkëputur marrëveshjen me Fernando Santosin si përzgjedhës i kombëtares. Federata e ka falënderuar Santosin për kontributin e dhënë.

Ajo që përflitej tani e disa ditë, tashmë ndodhi. Zyrtarisht Portugalia ka ndarë rrugët me Fernando Santosin, pas kritikave të shumta që mori pas eliminimit në çerekfinale të Kupës së Botës kundër Marokut.

Ai e udhëhoqi Portugalinë që nga viti 2014, duke fituar edhe një trofe shumë të vlefshëm siç ishte ai i Evropianit të 2016-ës, që u zhvillua në Francë.

“Federata portugeze dhe Fernando Stantos kanë vendosur që ta mbyllin rrugëtimin e tyre shumë të suksesshëm që filloi në shtator të vitit 2014”, thuhet në rreshtat e parë të njoftimit.

Eliminimi ndaj Marokut bëri që kritikat të bëheshin çdoherë e më të ashpra, aq më shumë pasi vendosi që Cristiano Ronaldo të lihej në bankën rezervë në ndeshjet e eliminimit direkt.

Cikli tetëvjeçar me Portugalinë
për trajnerin portugez mbaroi me kaq, me një fund jo shumë të lavdishëm, me presione e kritika të mëdha nga të gjitha anët.

Federata falënderon Santosin

Në një komunikatë të gjatë që u nda për medie dhe opinion publik, federata portugeze falënderoi përzemërsisht Santosin për tërë kontributin që ka dhënë për kombëtaren.

Sidoqoftë, me një pajtim të dyanshëm është arritur në një marrëveshje të përbashkët se ky është momenti i duhur për t'i ndarë rrugët.

"Federata dhe Fernando Santos e kuptojnë se ky është momenti ideal që të fillohet një cikel i ri"
, thuhet në komunikatë.

Ndër të tjera, federata e quajti një nder të njëmend që kanë pasur mundësinë ta kenë si përzgjedhës të kombëtares një njeri si Santos.

"Përveç titujve të fituar, Fernando Santos është shndërruar në përzgjedhësin që ka drejtur më së shumti ndeshje, duke gëzuar numrin më të madh të fitoreve. Ka qenë një nder të kemi një trajner dhe një person si Fernando Santos në drejtim të kombëtares"
, nënvizohet në njoftim.

Tani federata portugeze zotohet se do ta fillojë procesin e emërimit të përzgjedhësit të ri: "Federata tani do ta nis procesin e zgjedhjes të përzgjedhësit të ri të kombëtares."

Sipas shtypit portugez opsioni numër një mbetet Josè Mourinho, edhe pse i njëjti ka kontratë të vlefshme me Romën deri më 2024.

Si rrjedhojë, një emërim i tij në pozitën e përzgjedhësit nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi në Roma gëzon respektin dhe mbështetjen e plotë për ta vijuar projektin e nisur në vitin e kaluar.

Lajme të ngjashme