Portugalia vendos t’i ndajë rrugët me Santosin, zyrtarizimi i shkarkimit çështje kohe - NACIONALE

Portugalia vendos t’i ndajë rrugët me Santosin, zyrtarizimi i shkarkimit çështje kohe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Fernando Santos nuk do të jetë më përzgjedhës i Portugalisë. Zyrtarët e federatës portugeze këtë vendim tashmë e kanë marrë. Zyrtarizimi është çështje kohe dhe nuk përjashtohet që i njëjti të vijë brenda ditës.

Eliminimi në çerekfinale kundër Marokut ka prodhuar një dramë të llojit të vet në futbollin portugez, pasi pritjet kishin qenë vërtet të larta.

Portugalia u mposht 1:0 kundër Marokut, në një ndeshje ku hasi shumë në vështirësi që ta gjente rrugën e golit. Ishte pikërisht Santos ai që u akuzua si fajtori kryesor për një dështim të tillë.

Sipas gazetës “A Bola” federata shumë shpejt pritet ta kumtojë shkarkimin e Santos nga detyra e përzgjedhësit. Lajmin të njëjtë e konfirmoi në llogarinë e tij në rrjetin social “Twitter” edhe gazetari me renome, Fabrizio Romano.

Pikërisht “A Bola” si gazeta më e madhe portugeze shkruan se Mourinho është shënjestra kryesore e federatës, për të qenë ai pasardhësi i Santosit në drejtimin e stolit të kombëtares.

Mourinho për momentin ka një kontratë të vlefshme me Romën, e cila e lidh atë deri më 2024. Në ambientin e kryeqytetit italian nuk është aspak i kontestueshëm dhe përkrahet pa ndonjë ekuivok.

Megjithatë, po i njëjti, Mourinho, asnjëherë nuk e ka fshehur lidhjen e tij shpirtërore me vendin e vet të origjinës dhe vendlindjes, Portugalinë. Këto elemente i shtojnë shpresat e portugezëve që do të mund ta kenë Mourinhon si përzgjedhës që do t’i drejtonte ata në misionin për ta fituar Evropianin 2024.

Raporti me Ronaldon – një tjetër burim krisje

Fernando Santos përveç kritikave që ka pranuar për shkak që nuk arriti ta sigurojë gjysmëfinalen në Kupën e Botës, ai është përballur me kritika të llojllojshme edhe nga personat e afërt me Cristiano Ronaldon.

Trajtimi që i është bërë nga faza e eliminimit direkt e tutje njërit prej lojtarëve më të mëdhenj të futbolli, ka bërë që të shkaktojë edhe një neveri të madhe në qarqe të caktuara.

Kritikat nga familjarët e Ronaldos ishin të pareshtura, pasi Santos vendosi që ta linte në bankën rezervë Ronaldon për ndeshjet kryesore të kombëtares, edhe pse e dinte se ky mund të ishte Botërori i fundit për të.

Andaj, një pjesë e shtypit ndërkombëtar edhe këtë faktor e sheh si burim të krisjes së raporteve mes tij dhe Federatës së Futbollit të Portugalisë.

Në anën tjetër, Ronaldo është kujdesur që të mos deklarohet hapur ndaj vendimeve të tilla të përzgjedhësit Santos. Të vetmet reagime të pesë herë fituesit të Topit të Artë kanë qenë kundër shtypit ndërkombëtar, për ato që siç i quante ai “shpifje të vazhdueshme në drejtim të tij”.

Lajme të ngjashme