KATAR 2022 | Santos: Nuk pendohem që e lashë Ronaldon në stol
Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, thotë se nuk është penduar aspak që la yllin kryesor të Kombëtares, Cristiano Ronaldon, në stol.
Ronaldo për të dytën ndeshje radhazi nuk filloi ndeshjen nga minuta e parë, me Santos që preferoi yllin në ardhje Gonçalo Ramos, para 37-vjeçarit.
Nëse në ndeshjen e 1/8 së finales ndaj Zvicrës, vendimi strategjik i tij dha fryte, me Ramos që shënoi het-trik, në ndeshjen ndaj Marokut në çerekfinale, 21-vjeçari nuk tregoi gati asgjë. Por Santos thotë se nuk është i penduar për këtë veprim.

"Ronaldo në stol? Nuk jam penduar. Skuadra bëri shumë mirë në ndeshjen kundër Zvicrës. Cristiano është një lojtar i madh. Ai hyri në lojë kur e kuptuam se ishte me të vërtetë e nevojshme. Nuk jam penduar për këtë",tha Santos në konferencë për shtyp pas ndeshjes.
Për Cristiano Ronaldon, ky Botëror me shumë gjasë ishte i fundit, dhe karriera e tij ndërkombëtare do të përfundojë pa trofeun e vetëm që nuk gjendet në sirtarin e tij, atë të Kupës së Botës.