Gruaja e Ronaldos sulmon Santosin: Nuk mund të nënvlerësohet lojtari më i mirë në botë
Gruaja e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez, ka goditur trajnerin e Portugalisë, Fernando Santos, pasi ky i fundit la në stol yllin portugez, duke e quajtur vendim të gabuar dhe se sipas saj nuk duhet të nënvlerësohet lojtari më i mirë në botë në këtë mënyrë.
Portugalia u mposht nga Maroku me rezultat minimal 1:0, me golin e En-Nesyrit të shënuar në pjesën e parë dhe Georgina reagoi me anë të një postimi në Instagram, në mbështetje të burrit të saj.
Ronaldo luajti vetëm 39 minuta të pjesës së dytë, kështu duke bërë paraqitjen e dytë radhazi nga banka rezervë. Ai regjistroi vetëm 10 prekje, teksa tentoi të shënonte në fund por goditja e tij u ndal nga portieri maroken.
Rodriguez me të përfunduar ndeshja u hodh në mbrojtje të Ronaldos.

“Sot trajneri dhe shoku yt mori vendim të gabuar. Shoku që ti ke respekt dhe admirim për të. I njëjti që kur të futi në fushë e pa se si loja ndërroi krejtësisht, por ishte shumë vonë. Ju nuk mund ta nënvlerësoni lojtarin më të mirë në botë. Është arma më e fuqishme. Ju duhet të ngriheni në këmbë për njeriun që nuk e meritoi këtë. Jeta na jep mësime. Sot ne nuk humbëm, ne mësuam. Ne të admirojmë ty”, ishin fjalët e shkruara nga gruaja e Ronaldos në një Story të postuar në Instagram.

