Zyrtare: Kostic kalon te Juventus - NACIONALE

Zyrtare: Kostic kalon te Juventus

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Juventusi tani zyrtarisht ka nënshkruar me anësorin, Filip Kostic, nga Eintracht Frankfurt, në një marrëveshje që raportohet të jetë te 17 milionë euro së bashku me bonuset.

Përfaqësuesi i Serbisë, udhëtoi sot herët në mëngjes në Torino dhe iu nënshtrua disa testeve mjekësore përpara se të hedh të zezën mbi të bardhë.

Faqja zyrtare e Serie A, e cila regjistron të gjithë lojtarët me kontratat e tyre, e konfirmon se Kostic tani edhe zyrtarisht është lojtar i zonjës së vjetër.

West Ham United ishe skuadra tjetër që ishte vënë pas anësorit 29-vjeçar, por ai gjithmonë kishte preferencë primare bardhezinjtë.

Për shkak se kalimi i tij ishte në fazën finale, Kostic nuk u paraqit dje në ndeshjen e Superkupës Evropiane, ku ish-skuadra e tij u mposhtë nga Real Madridi 2:0 në Helsinki.

Ai ndihmoi gjermanët në sezonin e kaluar të triumfonin në Ligën e Evropës, ku gjithashtu u shpall lojtari më i mirë i garës.

Në të gjitha garat në sezonin që kaloi, ai u paraqit në 43 ndeshje garuese, ku kontribuoi me shtatë gola dhe 15 asiste.

Ndërsa në anën tjetër, Juventus u pajtua që mbrojtësin Luca Pellegrini ta dërgojë te Eintracht Frankfurt në huazim, ku pritet që nesër të përfundojë testet mjekësore.

Të shtunën u raportua se marrëveshja me lojtarin serb ishte arritur vetëm se kishte mbetur edhe marrëveshja me skuadrën gjermane, e cila kërkonte 20 milionë euro, ndërsa zonja e vjetër shpresonte ta mbyllte me 15 milionë plus ca milionë bonuse.

Nga marrëveshja e arritur besohet se Kostic do të përfitojë rreth 2,5 milionë euro në vit, që për moshën e tij është relativisht shumë, marrë parasysh faktin se ai ende nuk është dëshmuar te një skuadër e nivelit të lartë.

Juventus po përballet me mungesën e një mesfushori ofanziv teknik, i cili mund të krijojë hapësirë në korridore të ngushta. Te Kostic ata shpresojnë që do të mund ta bëjë një gjë të tillë dhe andaj kanë këmbëngulur që ta kenë në skuadër para se të mbyllet afati kalimtar veror.

Për Allegrin një lojtar i profilit të Kostic ka qenë i shumëkërkuar në këtë afat kalimtar, pasi vlerësohet se e kompleton thuajse në plotni organikën e skuadrës për fillimin e sezonit të ri, ku Juventus ka për qëllim që ta rikthejë titullin kampion, pas dy sezonesh që i njëjti ka përfunduar në duart e klubeve milaneze si Inter dhe Milan.

Lajme të ngjashme