Juventus arrin marrëveshje të plotë me Kostic, shumë shpejt pret ta ketë në radhët e veta - NACIONALE

Juventus arrin marrëveshje të plotë me Kostic, shumë shpejt pret ta ketë në radhët e veta

1 javë më parë

nga NACIONALE

Gjatë ndeshjes së mbrëmshme fantazisti serb, Filip Kostic, përshëndeti publikun e Eintracht Frankfurt kur u zëvendësua ndaj Bayern. U duk një lamtumirë, sepse ai është shumë afër të zyrtarizohet si lojtar i Juventus.

Kostic është një hap larg transferimit te "zonja e vjetër". Drejtuesit e klubit italian janë çdoherë e më të bindur se do ta kenë shumë shpejt në radhët e veta lojtarin, pasi kanë arritur marrëveshjen për kushtet personale me të.

Tani kanë mbetur që të definohen dhe të arrihet ujdia me klubin gjerman, para se të procedohet drejt zyrtarizimit të plotë të 29-vjeçarit.

Për Allegrin një lojtar i profilit të Kostic ka qenë i shumëkërkuar në këtë afat kalimtar, pasi vlerësohet se e kompleton thuajse në plotni organikën e skuadrës për fillimin e sezonit të ri, ku Juventus ka për qëllim që ta rikthejë titullin kampion, pas dy sezonesh që i njëjti ka përfunduar në duart e klubeve milaneze si Inter dhe Milan.

Si po shkojnë negociatat për Kostic?

Gazetari i mirënjohur italian, Gianluca Di Marzio, për Sky Sport Italia raporton se Juventus është duke punuar vazhdimisht që ta sjellë në radhët e veta Kosticin.

Sipas Di Marzios, deri më tani klubi ka arritur që të pajtohet me futbollistin serb për kushtet personale. Ky i fundit po bën presion të vazhdueshëm në drejtim të Eintracht Frankfurt që ta lirojnë sa më parë.

Klubi gjerman kërkon 20 milionë euro, por drejtuesit torinez janë besimplotë që mund ta mbyllin marrëveshjen me një ofertë prej 15 milionë euro, plus disa milionë euro shtesë në formë bonusesh.

Nëse kompletohet kalimi i Kostic te Juventus, atëherë fantazisti serb do të inkasojë 2,5 milionë euro në vit, e cila është një shifër e konsiderueshme, nëse kemi parasysh moshën dhe faktin që nuk është dëshmuar në nivele të larta deri më tani.

Ka një kohë të gjatë që Juventus po përballet me mungesën e një mesfushori ofanziv teknik, i cili mund të krijojë hapësirë në korridore të ngushta. Te Kostic ata shpresojnë që do të mund ta bëjë një gjë të tillë dhe andaj po këmbëngulin që ta kenë në skuadër para se të mbyllet afati kalimtar veror.

Lajme të ngjashme