Zyrtare: Barcelona konfirmon blerjen e mbrojtësit Jules Kounde - NACIONALE

Zyrtare: Barcelona konfirmon blerjen e mbrojtësit Jules Kounde

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Barcelona ka zyrtarizuar blerjen e mbrojtësit francez Jules Kounde. Ai do të jetë përforcimi i radhës i skuadrës së udhëhequr nga Xavi.

Katalonasit ia dolën ta fitojnë garën me Chelsean për t'i siguruar shërbimet e mbrojtësit të krahut të djathtë, Jules Kounde. Ai ishte profili i duhur për Xavin, ngase të tillë e kishte konsideruar vetë ai.

Edhe pse, në bazë të deklaratave të sotme të drejtorit të Sevillas, Monchi, lojtari ka përfunduar në radhët e Barcelonës, pasi Chelsea ka shprehur hezitime të theksuara, duke bërë prapakthim në momentet e fundit - për t'i dhënë hapësirë Barcelonës që ta mbyllë transferimin e tij.

Gjatë mbrëmjes Barcelona e ka bërë të qartë për opinionin publik se tashmë çdo gjë është zyrtare, pasi dje e kishte konfirmuar arritjen e marrëveshjes në parim me Sevillan.

Kounde do të jetë lojtari nga i cili Barcelona synon sa më shumë asiste për gola dhe që ta sjellë një stabilitet në atë pjesë të fushës.

Impakti i Xavit në vendimin e Kounde

Xavi Hernandez si trajner i Barcelonës ka luajtur një rol të rëndësishëm për ta bindur mbrojtësin 23-vjeçar që t'i bashkohej projektit të tij.

Siç dihet, prej shumë kohësh edhe Chelsea ishte shumë i interesuar për shërbimet e tij. Madje, klubi londinez kishte arritur deri aty që t'i bënte dy oferta të mëdha, prej 56 milionë eurove, respektivisht 64 milionë eurove.

Megjithatë, në fund rol vendimtar ka pasur dëshira e lojtarit për t'u transferuar në Barcelona, i ndikuar shumë edhe nga biseda me Xavin, i cili e kishte bindur atë.

Kjo nuk ishte hera e parë që lojtarët e ndryshëm, të cilët zgjodhën Barcelonën, e bënë këtë mu për shkak të trajnerit të saj. Ngjashëm ka vepruar edhe Lewandowski. Sulmuesi polak kërkohej po ashtu nga Chelsea, por në kokën e tij ishte ngulitur vetëm transferimi në Camp Nou, i cili erdhi pas disa javësh me negociata shumë të vështira mes klubeve.

Me Kounde, Barcelona synon që ta etablojë një mbrojtje të konsoliduar, e cila do të jetë e aftë që të jetë konkuruese me skuadrat rivale si Atletico Madrid dhe Real Madrid, për të garuar kësisoj për të gjithë titujt, ashtu siç janë edhe ambiciet e presidentit të klubit, Joan Laporta.

Lajme të ngjashme