Shefi i Sevillës tregon se si Barcelona ia mori Chelseat nga dora Kounden - NACIONALE

Shefi i Sevillës tregon se si Barcelona ia mori Chelseat nga dora Kounden

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori sportiv i Sevillës, Monchi, ka thënë se Chelsea duhet ta fajësojë vetëm veten për humbjen e garës me Barcelonën për shërbimet e mbrojtësit Jules Kounde.

Chelsea kishte arritur marrëveshje me Sevillën në vlerë rreth 65 milionë euro javën e kaluar dhe kishte rënë në ujdi për kushtet personale edhe me vetë përfaqësuesin e Francës.

Madje edhe vetë presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i kishte pranuar disfatën duke thënë para tifozëve se Kounde po shkonte në Chelsea.

Megjithatë, Monchi zbuloi të premten se Chelsea kishte dyshime për blerjen e Koundes dhe se kishte kërkuar që bisedimet të ndërpriteshin, duke e lejuar Barcelonën të kthehet në garë për të dhe të arrijë marrëveshje me Sevillën për 55 milionë euro.

“Në fillim të afatit kalimtar kishte shumë klube të interesuara për Kounden. Kah fundi, Chelsea ishte mbi të gjithë, ne po bisedonim vazhdimisht muajin e fundit dhe të enjten e kaluar arritëm marrëveshje verbale”, tha Monchi.

“Edhe lojtari arriti marrëveshje me të, por në çastin e fundit Chelsea kishte dyshime. Çdo gjë ndaloi”, zbuloi ai.

“Pastaj Barcelona u shfaq përsëri. U takuam të hënën me ta dhe pamë interesimin e tyre. Iu kërkuam të vinin me një ofertë, në fillim oferta e tyre ishte më e ulët seç kërkonim ne por më vonë erdhën me një ofertë të rëndësishme, një shumë të lartë, më e larta në historinë e Sevillës”, nënvizoi Monchi.

Kounde nënshkroi marrëveshje pesëvjeçare me Barçën, e cila do ta mbajë atë në Camp Nou deri në vitin 2027.

“Chelsea u rikthye, por oferta e Barçës ishte më e mirë. Ne vendosëm ta shesim atë te një ekip në të cilin ai dëshironte të shkonte dhe i cili i ofroi kushte më të mira Sevillës. Oferta më e mirë që e pranuam ishte nga Barcelona, kështu është”, këmbënguli ai.

Kounde është blerja më e fundit e Barcelonës në këtë afat të ngjeshur kalimtar për gjigantin katalonas.

Para tij, skuadrës së Xavi Hernandezit iu bashkuan edhe Robert Lewandowski, Raphinha, Franck Kessie dhe Andreas Christensen.

Lajme të ngjashme