E kryer: Barcelona prezanton Jules Kounde si blerjen më të re të saj
Jules Kounde është lojtar i Barcelonës. Të dy klubet kanë konfirmuar arritjen e marrëveshjes.
Mbrojtësi francez, Jules Kounde, do të jetë përforcimi më i ri i Barcelonës. Pasi gjatë fundjavës që lëmë pas arriti marrëveshjen me klubin katalonas, tani ka ardhë deri te zyrtarizimi i transferimit të tij.
Diçka të tillë e njoftoi vetë klubi i Barcelonës, përmes profileve të tij zyrtare në rrjetet sociale të ndryshme.
👋 @jkeey4 pic.twitter.com/6wuQbDzppo
— FC Barcelona (@FCBarcelona) July 28, 2022
Deri në transferimin e tij te Barcelona përcaktues ka qenë insistimi i Xavit, i cili personalisht është vu në kontakt me mbrojtësin 23-vjeç.
Kalimi i testeve mjekësore
Barcelona ka njoftuar se Kounde ka kaluar me sukses testet mjekësore, të cilave u është nënshtruar gjatë orëve të fundit.
Kësisoj, klubi ka definuar çdo praktikë burokratike, për t'i dhënë hapësirë të plotë federimit të tij si lojtar i Barcelonës.
Ai do të mund të paraqitet me fanellën blaugrane menjëherë, duke qenë kësisoj gati për fillimin e kampionatit, i cili në Spanjë fillon nga gjysma e muajit gusht.
Që prej kohës së largimit të Dani Alves, Barcelona nuk ka gjetur më rehati në pozitën e mbrojtësit të djathtë. Me Kounde, Xavi planifikon që ta risjellë stabilitetin në atë pjesë të fushës.
Detajet e marrëveshjes
Së bashku me bonuset, oferta e Barcelonës ka arritur deri në afro 60 milionë euro. Për hir të vërtetës, shumë më të madhe parash kishte ofruar Chelsea, por lojtari preferoi më shumë transferimin në "Camp Nou".
Ndërkaq, në anën tjetër mbrojtësi francez do të inkasojë rreth 6 milionë euro në vit si pagë vjetore.
Kështu, fillon edhe aventura edhe e Kounde si lojtar i Barcelonës, ku klubi katalonas synon që t'u rikthehet trofeve pas kampanjës së fundit të blerjes së lojtarëve, meqë janë transferuar lojtarë të kalibrit si Lewandowski, Raphinha, Kessie dhe të tjerë.

