Barcelona lë gojëhapur Chelsean, finalizon marrëveshjen për Kounde - NACIONALE

Barcelona lë gojëhapur Chelsean, finalizon marrëveshjen për Kounde

4 vjet më parë

nga NACIONALE

U shndërrua sikur në një telenovelë, ku episodet nuk dinin mbarim. Sidoqoftë, përfundimi i saj po i buzëqesh Barcelonës. Katalonasit siguruan marrëveshjen e plotë për Jules Kounde.

Chelsea e kërkoi me muaj të tërë. Ishte në qendër të kërkesave të Thomas Tuchel. Gjërat ndryshuan kur në garë hyri Barcelona.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Kounde, do të jetë përforcimi më i ri i katalonasve, të cilët nuk kanë gjetur paqe në këtë pozitë që pas shkëlqimit të dikurshëm të Alves.

Me Kounde, Xavi planifikon që ta plotësojë atë të metë që e kishte në atë pozicion, duke e mbuluar një boshllëk të konsiderueshëm.

Barcelona s'lë vend për mëdyshje, gjen ujdinë e plotë me Sevillan

Ishte një ping-pong i vërtetë gara mes Chelseat dhe Barcelonës se cila do të ia dilte mbanë për ta siguruar nënshkrimin e mbrojtësit francez.

Sipas medieve spanjolle dhe gazetarit italian të specializuar në afatin kalimtar të futbollistëve, Fabrizio Romano, gjatë pasditës së sotme është definuar çdo detaj mes dy klubeve spanjolle, duke bërë kështu që të arrihej marrëveshja e plotë.

Barcelona do t'i paguajë rreth 60 milionë euro për shërbimet e Kounde. Ai do të nënshkruajë kontratë pesë vjeçe, ndërsa për kushtet personale ekipi katalonas ka siguruar që në javën e kaluar marrëveshjen me lojtarin.

Kësisoj, tani s'ka asnjë pengesë. Kounde mund të konsiderohet si lojtar i Barcelonës, kurse Chelsea do të detyrohet që të vëzhgojë vërdallë për emra të tjerë.

Xavi vendimtar në vendimin e Kounde

Fakti që edhe Chelsea ishte konkretisht në garë për Kounde, ka bërë që ky i fundit, së bashku me Sevillan, të blejnë shumë kohë, para se të përcaktoheshin se me cilën palë ta definojnë marrëveshjen.

Mirëpo, në bazë të të gjitha medieve të besueshme spanjolle, thuhet se Xavi ka qenë njeriu që në formë direkte është involvuar në negociata dhe ka bindur mbrojtësin francez që t'i bashkohet projektit të tij.

Ish-legjenda e Barcelonës dhe njëherit trajneri i saj i sotëm, Xavi, edhe për emrat të tjerë që janë afruar në klubin katalonas, si Raphinha, Lewandowski apo të tjerë - ka pasur një ndikim të madh që ata ta zgjedhnin projektin e tij para interesimeve të klubeve të tjera të shumta.

Lajme të ngjashme