Zyrtare: Arbnor Muja i bashkohet klubit belg Antwerp - NACIONALE

Zyrtare: Arbnor Muja i bashkohet klubit belg Antwerp

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi kosovar Arbnor Muja i është bashkuar klubit belg Royal Antwerp nga Drita, në një marrëveshje afatgjate të premten.

Muja, 23 vjeç, ka nënshkruar kontratë trivjeçare me mundësi vazhdimi për edhe një vit tjetër me Antwerpin, njofton klubi belg.

“Kosovari Arbnor Muja ka nënshkruar kontratë me RAFC. Muja vjen nga FC Drita”, shkroi Antwerp në uebsajtin e klubit.

Ai do ta bartë fanellën me numrin 11 te skuadra e tij e re.

Kalimi i Mujës te Antwerp ishte shumë i shpejtë dhe gjithçka ndodhi brenda dy javëve, pasi talenti i tij kishte rënë në sy gjatë përballjes mes dy klubeve në rrethin e dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Ai bëri paraqitje të mrekullueshme në të dy ndeshjet kualifikuese në Belgjikë dhe në Prishtinë, por Dritës s’i mjaftoi pasi u mposht 2:0 në ndeshjen e kthimit si vendas, pas barazimit pa gola në udhëtim, duke u rrëzuar nga kualifikimet.

Besohet se palët biseduan gjatë takimit të tyre dhe se marrëveshja ishte arritur në tunelin e stadiumit Fadil Vokrri në Prishtinë javën e kaluar.

Raportohet se Drita do t'i fitojë 400 mijë euro nga shitja e 23-vjeçarit në Belgjikë.

Muja i shënoi dy gola në tri rrethin e parë kualifikues kundër Inter Turku, të cilin Drita e kishte kaluar me rezultat të përgjithshëm 3:1 nga dy ndeshjet.

Muja i shënoi 8 gola dhe i dha 10 asiste në 30 paraqitje për Dritën gjatë karrierës së tij, të cilës i ishte bashkuar nga Trepça '89.

Lajme të ngjashme