Zyrtare: Allegri dënohet me gjobë dhe pezullohet pasi u 'çmend' në finale të Kupës së Italisë
Trajneri i Juventusit, Massimilano Allegri, është pezulluar për dy ndeshje në Kupë të Italisë dhe gjobë prej pesë mijë eurove, pasi mori karton të kuq natën e kaluar në fitoren ndaj Atalantës.
Allegri e humbi qetësinë në minutat e fundit të finales kundër Atalantës, ndonëse skuadra e tij ishte duke fituar 1:0.
Një shtyrje ndaj Danilos e pagjykuar nga gjyqtari Maresca, bëri që italiani të çmendet fare, duke bërtitur te gjyqtari i katërt, e vazhdoi duke grisur xhaketën e krevatën.
Gjykatësi i Sportit në futbollin italian e ka dënuar trajnerin italian me dy ndeshje pezullim, që janë valide vetëm në Kupë të Italisë dhe do të duhet t'i paguajë edhe pesë mijë euro gjobë.
Pavarësisht dënimit, Allegri do ta drejtojë skuadrën e tij në përballjen e ardhshme në Serie A, ndaj Bolognas, që zhvillohet më 20 maj në Stadio Dall'Ara.
Sidoqoftë, Juventusi mund të marrë vendim ta shkarkojë Allegrin pa arritur deri te dita e ndeshjes, duke qenë arsyeja sjellja e tij në natën e kaluar.
Allegri në dukje hodhi poshtë komplimentet nga drejtori i klubit Cristiano Giuntoli dhe madje kërcënoi redaktorin e Tuttosport Guido Vaciago pas ndeshjes, kështu që Zonja e Vjetër po e konsideron shkarkimin e tij para fundit të sezonit.