Ziyech përfundimisht po largohet nga Chelsea, Galatasaray arrin marrëveshje me skuadrën londineze
Chelsea dhe Galatasaray kanë arritur marrëveshje për transferimin e Hakim Ziyech, por të dyja palët janë treguar të kujdesshme, duke pasur parasysh se ylli maroken dështoi dy herë për ta përfunduar kalimin e tij, fillimisht te Paris Saint-Germain e pastaj te Al Nassr.
Chelsea ka pranuar një ofertë të përhershme nga Galatasaray për anësorin e larguar maroken, sipas RMC Sport dhe Fabrizio Romano. Megjithatë, asnjëra palë nuk është duke shpejtuar.
Chelsea have reached verbal agreement in principle with Galatasaray for Hakim Ziyech transfer 🚨🟡🔴 #Galatasaray
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) August 16, 2023
Deal subject to further details and also medical tests — as Chelsea are careful after twists with PSG and Al Nassr. pic.twitter.com/TEdlUmJwdj
Kjo për shkak se dy lëvizje për Ziyech tashmë kanë dështuar këtë vit. Në janar, një transferim huazimi në Paris Saint-Germain u rrëzua sepse Chelsea nuk arriti të dërgonte dokumentacionin e duhur në kohë. 30-vjeçari dukej se do t'i bashkohej Cristiano Ronaldos në Al Nassr në Arabinë Saudite këtë verë, por ai raportohet se dështoi në testet mjekësore për shkak të një dëmtimi në gju.
Ziyech mbërriti në Chelsea nga Ajax në një transferim prej 35 milionë euro në vitin 2020, por kurrë nuk është përshtatur realisht në Stamford Bridge. Ai nuk është pjesë e planeve të Mauricio Pochettinos dhe Chelsea dëshiron ta largojë atë për të krijuar hapësirë për ardhjet e reja.

Nëse Ziyech rezulton me sukses në testet mjekësore te Galatasaray, ai do të luajë së bashku me Dries Mertens, Wilfried Zaha dhe Mauro Icardin.

