Zbulohet klauzola që ia mundëson Kylian Mbappes të largohet nga PSG-ja para skadimit të kontratës - NACIONALE

Zbulohet klauzola që ia mundëson Kylian Mbappes të largohet nga PSG-ja para skadimit të kontratës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kylian Mbappe mund të largohet nga Paris Saint-Germain si lojtar i lirë një vit para se t’i mbarojë marrëveshja me klubit, falë një klauzole që ia mundëson atij të largohet në vitin 2024 edhe pse kontrata i skadon më 2025, sipas mediave franceze.

Superylli francez nënshkroi marrëveshje marramendëse me pagë javore prej 750 mijë eurove me PSG-në në maj, pas shumë thashethemeve dhe pikëpyetjeve rreth së ardhmes së tij gjatë sezonit të kaluar.

Pasi e nënshkroi marrëveshjen e re, Mbappe – i cili për ta bërë këtë e refuzoi Real Madridin – njoftoi se vuri firmën në një kontratë trivjeçare dhe me krenari e veshi një fanellë me mbishkrimin “Mbappe 2025” në shpinë, kur pozoi me presidentin e klubit Nasser Al-Khelaifi.

Megjithatë, sipas L’Equipe, kontrata e nënshkruar nga Mbappe është vetëm për dy vite, pasi viti i tretë është mundësi vazhdimi për përfaqësuesin francez.

Kjo nënkupton se në fund të këtij sezoni, Mbappe do të futet në 12 muajt e fundit të marrëveshjes dhe PSG-ja përsëri do të jetë në pozitë për të vendosur ta shesë apo ta bindë për ta vazhduar marrëveshjen, në mënyrë që të mos e humbë atë pa asnjë qindarkë.

I tillë ishte rasti në verën e vitit 2021 kur Real Madridi e kishte bërë të qartë interesimin për Mbappen duke i ofruar 180 milionë euro për të, në përpjekje për ta joshur.

Si pjesë e marrëveshjes së re, ishte raportuar, se Mbappe do të kishte kontroll të plotë mbi projektin sportiv të klubit.

Para fitores kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve javën e kaluar, Mbappe ngurroi të fliste kur u pyet se si po shkonin gjërat që prej se nënshkroi marrëveshjen e re.

“Nuk është as koha e as vendi dhe unë nuk jam personi më i mirë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Këtu jemi për të folur për ndeshjen e Ligës së Kampionëve”, tha Mbappe.

Mbappe e ka nisur sezonin në mënyrë të shkëlqyer duke i shënuar nëntë gola në shtatë ndeshje deri tani.

Lajme të ngjashme