Xhaka thyen heshtjen: Askush brenda apo jashtë Zvicrës s'mund ta drejtoj gishtin kundër meje rreth angazhimit - NACIONALE

Xhaka thyen heshtjen: Askush brenda apo jashtë Zvicrës s'mund ta drejtoj gishtin kundër meje rreth angazhimit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Granit Xhaka ka thyer heshtjen për mediet helvete. Ai ka folur për Televizionin Publik Zviceran (RSF). Mesfushori shqiptar deklaroi se askush nuk ia ka falur shiritin e kapitenit, por se e meriton atë.

Pas rreth tri javësh qëkur mbaroi aventura e helvetëve në Kupën e Botës, Granit Xhaka ka vendosur të sqarojë pozicionin e tij në lidhje me akuzat dhe kritikat e shumta që ka pranuar nga mediet zvicerane nëse ai është futbollisti i duhur për të qenë kapiten i kombëtares.

Kritikat më të mëdha në adresë të tij kanë ardhur pikërisht nga mediumi publik zviceran dhe Xhaka mu këtë medium zgjodhi për ta bërë intervistën e parë pas përvojës në Katar.

Njëra ndër pyetjet që iu shtrua nga “RSF” ishte nëse do të vazhdojë të mbetet kapiten. Përgjigja e yllit shqiptar ishte shumë e qartë.

“Nuk kam lindur kapiten. Shiriti i kapitenit nuk është fryt i një ndeshje të bukur. Ngërthen mbrapa vetes vite të tëra të punës së njëmendtë dhe të sinqertë. As në Zvicër e as jashtë saj askush nuk mund ta drejtoj gishtin kundër meje duke më akuzuar që nuk kam dhënë mjaftueshëm. Jam thellësisht krenar me rrugëtimin tim”, tha ai.

Xhaka tha se është duke reflektuar në pyetjen që iu shtrua nëse ndihet i bezdisur nga gjithë këto kritika që i janë bërë atij dhe nëse mendon se ka merituar një trajtim të tillë.

“Varet se kush flet publikisht për mua. Jam duke i vlerësuar. Kushdo që nuk ma thotë në fytyrë të vërtetën nuk ka rëndësi për mua si person. Për mua janë vetëm persona falsë. Kam bërë 111 paraqitje për këtë kombëtare. Jam krenar. Kritikët nuk do më heqin qafe kaq shpejt (qeshi)”, deklaroi ai.

Xhaka bën thirrje të mos kenë frikë nga ai

Roli i Xhakës si kapiten i Zvicrës vijon të jetë i stërkomentuar. Ai shpesh është përshkruar si i ashpër. Mirëpo, sipas vetë tij kjo bën pjesë në natyrën e tij të futbollistit dhe nuk e bën për dashakeqësi.

"Askush nuk duhet të ketë frikë nga unë. Për mua nuk ka të bëjë me çështje personale, por të progresit të përgjithshëm. Dua të fitoj. Në stërvitje, në ndeshje kudo dhe gjithmonë”
, nënvizoi ai.

Përfaqësuesi helvet potencoi se përpiqet me çdo kusht që t’ua transmetojë edhe bashkëlojtarëve tjerë mendësinë e fituesit.

“Mundohem që t’ua transmetoj të gjithëve mesazhin që vetëm prania fizike nuk mjafton. Jam shumë i ashpër me Embolo dhe Ricardo Rodriguez siç jam me të gjithë të tjerët. Dua suksesin”
, sqaroi ai.

Zhgënjimi nga eliminimi ndaj Portugalisë

Vetëm katër ndeshje zgjati kapitulli i Zvicrës në Kupën e Botës që u zhvillua në Katar. Ajo u eliminua në ndeshjen e parë të fazës së eliminimit direkt. Një humbje prej 6:1 kundër Portugalisë ishte tejet e rëndë.

Xhaka tha se ka reflektuar gjatë se se si derivoi ajo humbje. Ai vuri theksin te vrapimi më i madh që bënë portugezët në atë ndeshje.

“Sinqerisht më janë dashur disa ditë për ta shtjelluar këtë rezultat. Ishte një ndeshje shumë e çuditshme. Vihet re vetëm dallimi i madh në kilometrat e vrapimit. Portugezët kanë vrapuar dhjetë kilometra më shumë sesa ne. Kur ndodh diçka e tillë në rrethin e 16 kombëtareve më të mira nuk ke gjasa që të avancosh”
, tutje.

Mesfushori shqiptar se është shumë lehtë nga perspektiva e sotme që të kryqëzohen taktikat apo skema e asaj ndeshje.

“Pse? Pse? Pse? Të nënvizosh çështjet taktike është shumë e lehtë për mua. Dëshira për të vrapuar nuk ka asgjë të bëjë me taktikën. Ky është opinioni im. Frustrimi im është i madh sepse kisha besim më të madh se asnjëherë që do të ishim në gjendje ta neutralizonim kombëtaren portugeze. Kjo është një ndër arsyet pse humbja në atë ndeshje është e vështirë për t’u kapërdirë”
, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme