Xhaka për çmimin lojtari i muajit te Arsenali: Më bën të lumtur sepse nënkupton që njerëzit e shohin punën time
Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, pranon se shpallja e lojtarit të muajit shtator është diçka e veçantë, pas formës së tij të shkëlqyer këtë sezon. Ky çmim e bënë të lumtur atë edhe për faktin siç thotë ai se njerëzit po e shohin punën e tij.
Mesfushori zviceran me prejardhje nga Kosova ishte fitues bindshëm me vota, duke marrë 83% të votave të tifozëve të Arsenalit.
Xhaka me tifozët nuk kishte një marrëdhënie të mirë që daton me një zënkë tre vite më parë, por ai është i kënaqur se paraqitjet e tij kanë ndihmuar në kthimin e një lidhje siç ishte në fillimet kur erdhi nga Gjermania, duke u bërë sërish i preferuari nga topçinjtë.
Gjatë një interviste për faqen zyrtare të Arsenalit, ai tha: "Për mua, është gjithmonë e veçantë të marr një çmim të tillë. Mendoj se kjo është hera e dytë - e kam marrë edhe në prill sezonin e kaluar, hera e parë pas gati shtatë vitesh, por sinqerisht, nuk e pres këtë moment, sepse në fund të fundit fitojmë dhe po humbasim së bashku, por ta marrësh këtë çmim gjithsesi se të bën të lumtur sepse do të thotë që njerëzit mund të shohin punën që bëj unë këtu. Është shumë e veçantë sepse të gjithë e dinë se çfarë ndodhi tre vjet më parë, kështu me mbështetje ju mund të shihni se sa mirë paraqitemi ne”.

Kjo mbështetje për 30-vjeçarin është përcjellë edhe me këngën e tij dhe Graniti zbuloi se kjo i ka dhënë edhe më shumë motivim, duke rezultuar në paraqitje edhe më të mira nga numri 34 i Arsenalit.
“Gruaja ime më pyeti se a e dëgjova këngën dedikuar meje gjatë lojës dhe sigurisht që e dëgjova”, shtoi ai. "I thashë se më dha shumë motivim sepse kam qenë këtu shtatë vjet dhe kam pasur shumë dashuri në fillim. Pastaj pata një pushim të vogël - e quaj një pushim të vogël sepse ishte si një prerje.
"Por unë jam i nderuar që kam një këngë sepse e ndjej dashurinë e tifozëve dhe gjithmonë dua të jem mirë me ta. Për të qenë në vendin ku jemi momentalisht, më duhet të them faleminderit dhe do të mundohem të jap më të mirën nga vetja ashtu siç kam bërë gjithmonë.”

Granit Xhaka është bërë pjesë e ballinave në mediat botëror që përcjellin futbollin, pas paraqitjeve të mira të tij të vazhdueshme dhe shumë prej tyre ia atribuojnë këtë ringjallje Mikel Artetës, që e bindi të qëndronte në Arsenal.
Ai po luan vazhdimisht për Arsenalin dhe në një ndeshje në mungesë të Martin Odegaard, barti shiritin e kapitenit që iu hoq kohë më parë.
Në nëntë ndeshje të zhvilluara deri më tani ai ka qenë i përfshirë në pesë gola drejtpërdrejtë, duke shënuar tre dhe asistuar në dy raste.


