Xavi thotë se Messi po i jep shpresë Barcelonës, pasi emri i tij u brohorit prapë në Camp Nou
Xavi Hernandez e ka pranuar se Lionel Messi po i jep shumë shpresë Barcelonës, pasi emri i tij u brohorit përsëri në minutën e 10-të gjatë barazimit me Gironën të hënën mbrëma.
Tifozët në Katalonjë i bënë të qarta ndjenjat e tyre përsëri, pasi e thirrën emrin e Messit për herë të dytë brenda pesë ditëve, gjatë ndeshjes pa gola të Barcelonës kundër Gironës në Camp Nou në kuadër të Laligës.
Javën e kaluar, gjatë ndeshjes së kthimit gjysmëfinale në Kupën e Mbretit kundër Real Madridit, i tërë stadiumi brohoriti emrin e legjendës së klubit Messi, për të cilin thuhet se ka mundësi të kthehet në klubin e fëmijërisë gjatë kësaj vere.
Megjithëse trajneri i Barcelonës Xavi këmbënguli se skuadra është e përqendruar ta fitojë Laligën, e pranoi se pritjet për kthimin e Messit në klub janë duke u rritur shumë.
“Tifozët e vlerësojnë ku kemi arritur, por na mungon titulli. Leo ofron shpresë. Ka dy ndeshje që ata e brohoritin emrin e tij. Ta shohim nëse do të ndodhë. Ne përqendrohemi në këtë sezon, sepse na duhet ta fitojmë Laligën”, tha Xavi pas barazimit me Gironën.
Barcelona e ka pranuar se i ka kontaktuar përfaqësuesit e Messit për të folur për mundësinë e kthimit të tij në Camp Nou, dhe presidenti Joan Laporta është në kërkim të sponsorëve të jashtëm për ta financuar kthimin e tij.
Megjithatë, ende nuk ka asgjë zyrtare dhe Messi është duke e pritur një thirrje nga ish-klubi, para se të vendosë përfundimisht për të ardhmen.
Paris Saint-Germain, klubi i tij i tanishëm, dëshiron ta mbajë argjentinasin pasi tashmë i ka bërë ofertë të re, duke qenë se kontrata i mbaron në qershor.
Barcelona është lidere e Laligës me një epërsi prej 13 pikëve ndaj rivalit Real Madrid dhe në rrugë për ta fituar titullin e parë në ligë që prej largimit të Messit.
Messi, në anën tjetër, është buzë fitimit të titullit të dytë në Ligue 1 me PSG-në në dy sezonet e tij në gjigantin francez.

