Mundo Deportivo: Messi pret të dëgjojë nga Joan Laporta
Sulmuesi Lionel Messi është duke shpresuar të dëgjojë nga presidenti Joan Laporta për një rikthim sensacional në "Camp Nou" gjatë verës.
Sipas "Mundo Deportivo", argjentinasi ende është duke hezituar të rinovojë kontratën me PSG-në pasi ëndërron një rikthim te skuadra që kaloi shumicën e karrierës.
Barcelona publikisht e ka pranuar se dëshiron ta rikthejnë Messin në "Camp Nou", me nënpresidentin Rafael Yuste që ka deklaruar se janë të etur për shtatë herë fituesin e Topit të Artë.
Mediumi spanjoll shton se ka pasur kontakte mes Laportes dhe babait të Messit, Jorge, mirëpo futbollisti preferon të dëgjojë direkt propozimin e katalunasve.
Kontrata e Messit do të skadojë në verë dhe vazhdon të ketë diskutime të shumta nëse do të qëndrojë ende në Evropë, apo t'i bashkohet Cristiano Ronaldos në Arabinë Saudite.
Kohëve të fundit lidhja mes Messit dhe Laportas ka qenë shumë e ftohët, me dyshen as që nuk u përshëndeten në shkurt, në ngjarjen e futbollistit më të mirë nga FIFA.
Barcelona në prapaskena ka punuar vazhdimisht për rikthimin e Messit, por ende nuk kanë bërë ofertë zyrtare shkaku i rregullave financiare që nuk e lejuan regjistrimin e argjentinasit dy vite më parë.
Gjatë kohës te Barcelona, Messi shënoi plot 672 gola duke fituar edhe statusin e më të mirit në historinë e klubit.