Xavi: Nuk e shoh veten si problem i Barcelonës, kur do të jetë ashtu do të largohem - NACIONALE

Xavi: Nuk e shoh veten si problem i Barcelonës, kur do të jetë ashtu do të largohem

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka folur në prag të “El Classicos” që do të zhvillohet nesër pasdite. Mbi të rëndojnë kritika për dështimin në dy ndeshjet ndaj Interit, por ai nuk e sheh veten si problem të klubit.

Barcelona dhe Real Madridi ndajnë kreun e tabelës në La Liga me 22 pikë. Nesër do të ndeshen njëra ndaj tjetrës për herë të parë gjatë këtij sezoni.

Ekipi katalonas vjen nga një javë e vështirë, kur nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë ndaj Interit të mërkurën, duke bërë kështu që “de facto” të mbetet jashtë garës për të dalë në vendin e dytë në grup.

Pavarësisht gjithash, Xavi nuk e sheh veten problem të klubit. Gjatë ditëve të shkuara është spekuluar shumë rreth të ardhmes së tij në stolin e Barcelonës, por vetë trajneri ka demantuar të kenë folur me drejtuesit e klubit rreth kësaj çështje.

Optimist rreth sezonit të mbetur

Barcelona ka qenë me dy fytyra gjatë këtij sezoni, pasi në La Liga është paraqitur shumë mirë, ndryshe nga Liga e Kampionëve. Pas përfundimit të ndeshjes kundër Interit, Xavi ka pranuar që ka folur me presidentin Laporta, ashtu siç deklaroi edhe ky i fundit dje. Megjithatë, përgënjeshtroi se temë diskutimi ishte e ardhmja e tij në bankinën e Barcelonës.

“Nuk kemi folur (për të ardhmen e bankinës). Mendojmë vetëm për të punuar. Jam optimist rreth sezonit dhe mbi të gjitha jam shumë tifoz i Barcelonës. Nuk e shoh veten si problem të klubit. Në ditën që do të ndodhë kjo nuk do të kem ngurrim që të largohem”, ka thënë ai.

Ai e vlerësoi shumë të mirë ecurinë në kampionat: “Jemi në rrugën e duhur. Po bëjmë një kampionat të mrekullueshëm. Ka akoma tjera kompeticione që janë për t’u luajtur. Notën për këtë sezon do ta japim në fund, edhe pse në Evropë gjërat nuk kanë shkuar aspak mirë. Sido që të jetë, projekti ka pak kohë që ka nisur.”

Xavi ka pranuar irritimin e madh që ende vazhdojnë ta kenë pas rezultatit dëshpërues kundër Interit, që ua ka ndërlikuar tej mase rrugëtimin tutje, duke bërë që të jenë një hap pranë mossigurimit të kualifikimit në fazën e 1/8 të finales në Ligën e Kampionëve.

“Duhet të vazhdojmë të punojmë. Nuk njoh ndonjë tjetër mënyrë që të arrihet deri te suksesi. Ajo çfarë ka ndodhur atë ditë në Ligën e Kampionëve na bënë të ndihemi të irrituar dhe të mërzitur”, përfundoi ai.

Real Madridi dhe Barcelona ndeshjen e nesërme do ta zhvillojnë me fillim në ora 16:15. Për shkak të golaverazhit më të mirë deri tani është skuadra e Xavit ajo që kryeson në renditjen tabelore.

Lajme të ngjashme