Laporta: I kam thënë Xavit ta harrojë Ligën e Kampionëve, besimi tek ai është i palëkundur - NACIONALE

Laporta: I kam thënë Xavit ta harrojë Ligën e Kampionëve, besimi tek ai është i palëkundur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Barazimi i Barcelonës kundër Interit me rezultat 3:3 gjatë mesjavës kishte shijen e një humbje për katalonasit, pasi “de facto” janë shuar gjasat për një kualifikim në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve.

Polemika të mëdha kanë shoqëruar kampin e Barcelonës. Kunja të vazhdueshëm në drejtim të gjyqtarëve, Interit dhe nervozizëm nganjëherë në kufinjtë e surreales – kanë qenë ato që kanë shoqëruar drejtuesit e klubit në daljet e tyre publike.

Sado që është vulosur thuajse një tjetër dështim në Ligën e Kampionëve, besimi te Xavi nuk preket. Këtë e garanton vetë i pari i Barcelonës në një intervistë për faqen zyrtare të klubit.

“E kemi ripërtërirë skuadrën. Jemi në ndërtim e sipër të ekipit dhe nevojiten disa përmirësime, mirëpo besimi te Xavi dhe lojtarët është i palëkundur. U thashë që të vazhdojnë përpara, ta harrojnë Ligën e Kampionëve dhe të koncentrohen në La Liga", shtoi ai.

Nëse në Ligën e Kampionëve gjërat nuk kanë shkuar në drejtimin e duhur, me tre humbje të njëpasnjëshme ndaj rivalëve kryesorë si Bayern dhe Inter, e njëjta nuk mund të konstatohet për kampionatin, aty ku Barcelona kryesor në renditjen tabelore me 22 pikë, po aq sa ka edhe Real Madridi.

Dy gjigantët e mëdhenj të Spanjës dhe të tërë futbollit botëror, në pasditën e vonë të ditës së diel do të ndeshen ndaj njëri-tjetrit, në klasiken e pavdekshme, e cila edhe pse ka humbur disi shkëlqim pa Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, akoma e ka mbajtur të gjallë një dualizëm të madh mes të dy klubeve.

“Duhet të koncentrohemi në La Liga, jo vetëm për shkak të ndeshjes të ditës së diel. Kemi përballjet gjithashtu ndaj Villarreal dhe Athletic Bilbaos”, ka thënë ai.

Assesi të kapërdihet penalltia e pretenduar në 'San Siro'

Edhe pse Laporta ka përçuar mesazhin te lojtarët dhe trajneri që të mendojnë për angazhimet në kampionat, në vazhdim të intervistës për kanalin zyrtar të Barcelonës, ai heraherës u kthye të flasë sërish për Ligën e Kampionëve.

Në shumë raste duke bërë analogji, e në disa të tjera edhe duke shtuar disa gjëra. Njëra prej segmenteve të lojës që më së shumti u ka penguar drejtuesve “blaugrana” ka qenë ndarja e drejtësisë në kompeticionin më të madh evropian.

“VAR-i nuk akordoi penallti në favor të Dembele gjatë ndeshjes në ‘San Siro’ dhe ai ishte skandal në vete”
, përfundoi ai.

Barcelona para fillimit të sezonit i ka caktuar objektiva të mëdha vetes. Një dështim i parakohshëm në Ligën e Kampionëve mund të llogaritet frustrues, por duke ditur vështirësitë e mëdha financiave të viteve të fundit, fakti që kanë bërë një nisje të mirë të kampionatit bën që ata të jenë besimplotë për vijimësinë e tij.

Lajme të ngjashme