Pëlqimi i postimit të Lautaros nga Leo Messi që po i dhemb Barcelonës më shumë se çdo gjë tjetër - NACIONALE

Pëlqimi i postimit të Lautaros nga Leo Messi që po i dhemb Barcelonës më shumë se çdo gjë tjetër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në shikim të parë, duket sikur Barcelona është lënduar më shumë nga pëlqimi që Lionel Messi i bëri një postimi të Lautaro Martinezit, sesa fakti që klubi është buzë rrëzimit nga Liga e Kampionëve qysh në fazën grupore.

Ëndrra e çdo futbollisti është ta ketë një natë si të Lautaro Martinezit në Camp Nou. Sulmuesi argjentinas dëshmoi se është i gatshëm për sfida më të mëdha në karrierë, pasi u veçua në barazimin e Interit 3:3 me Barcelonën në Camp Nou.

Ky barazim nënkupton se Interi është me një këmbë në fazën e eliminimit direkt, ndërsa Barcelona, që duhej të fitonte patjetër, është buzë rënies në Ligën e Evropës.

Pas ndeshjes të mërkurën, Lautaro postoi në rrjetin social Instagram një fotografi duke iu gëzuar golit në Camp Nou, të cilën Messi pa ngurrim e pëlqeu.

Messi nuk shqetësohej që Lautaro pothuajse e ka çuar ish-klubin e tij Barcelona në garën dytësore evropiane për klube.

Veprimi i Messit, i cili verën e vitit 2021 u largua nga Barça si lojtar i lirë pas mbi 20 viteve në klub, nuk është pritur mirë nga katalonasit, të cilëve iu ka mbetur hatri dukshëm.

Messi dhe Lautaro janë bashkëlojtarë në ekipin kombëtar të Argjentinës dhe veprimi i tetë herë fituesit të Topit të Artë është i kuptueshëm, pavarësisht të kaluarës së tij me Barcelonën.

Lautaro nuk kishte shënuar gol në tetë ndeshjet e fundit dhe e gjeti kohën më të duhur për t’i dhënë fund agjërimit pranë portës.

Përveç se shënoi, 25-vjeçari e dhuroi edhe një asist vendimtar për golin e tretë të zikaltërve që e shënoi Robin Gosens.

Mediat italiane e lartësuan paraqitjen e tij në Camp Nou, duke e quajtur atë kampion.

“Lautaro është kampion”, shkroi La Gazzetta dello Sport të enjten.

“Nga tani, sezoni i Martinezit, dhe mbase karriera e tij, janë ngritur në një nivel më të lartë”.

Në Argjentinë, ndërkohë, janë të lumtur për formën e tij në prag të Kupës së Botës 2022 që do të mbahet në nëntor dhe dhjetor në Katar.

Lajme të ngjashme