Xavi: Ndeshja kundër Atletico Madridit nuk do të vendosë asgjë rreth titullit kampion
Xavi Hernandez ka folur në konferencë për shtyp në lidhje me ndeshjen e vështirë që e pret nesër në “Wanda Metropolitano” kundër Atletico Madridit. Sidoqoftë, ai tha se një sfidë e tillë nuk do të jetë përcaktuese për titull.
Gara për titull në La Liga po bëhet çdoherë e më interesante. Barcelona dhe Real Madridi ndajnë pikët e barabarta në krye të tabelës. Hapi fals kundër Espanyolit i ndërlikoi paksa gjërat për katalonasit, të cilët tani duhet t’i bëjnë llogaritë edhe me mungesën e Lewandowskit në tri ndeshjet e ardhshme, pasi iu konfirmua pezullimi nga Tribunali Administrativ Sportiv i Spanjës.
Sidoqoftë, Xavi refuzojë ta pranojë se ndeshja në udhëtim kundër Atletico Madridit do të jetë përcaktuese në garën për titull.
“Çdo javë është i njëjti refren: ndeshja e ardhshme është më e rëndësishmja. E vërteta është se nuk do të vendosë asgjë kjo ndeshje, por nëse do të humbim pikë do të jetë një goditje e fortë për ne”, tha ai.

Trajneri katalonas është i vetëdijshëm që nuk e pret një sfidë aspak e lehtë, aq më pak kur dihet se çfarë futbolli di të interpretojë në ndeshje të tilla skuadra e Simeones.
“(‘Wanda Metropolitano’) Është një stadium i ndërlikuar për të luajtur dhe ata kanë një mbrojtje të hekurt. Do të jetë e vështirë për ne që të krijojmë raste shënimi dhe do na duhet të jemi më efikase sesa në dy ndeshjet e fundit”, tha Xavi.
Derbi në fjalë është në program për ditën e nesërme, me fillim në ora 21:00. Atletico Madridi është 11 pikë larg dy ekipeve që janë liderë të renditjes tabelore. Prandaj edhe për skuadrën e trajnerit argjentina Simeone do të jetë një mundësi e mirë që të ngushtohet ky dallim pikësh.
