Xavi konfirmon qëndrimin e Pjanicit: Më ka bindur, do të vijojë të jetë pjesë e jona
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka përjashtuar të gjitha mundësitë që Miralem Pjanic të largohet nga skuadra, duke thënë se është bindur nga cilësitë e tij.
Pjanic nuk ka gjetur assesi rehati prej që është larguar nga Juventusi. Afrimi i tij te Barcelona nuk rezultoi i suksesshëm ashtu siç pritej. Për këtë arsye klubi ndërmori vendim që të huazohej te Besiktas.
Edhe në futbollin turk nuk është se la ndonjë mbresë të theksuar, duke konfirmuar krizën në të cilën po vazhdonte të kalonte si futbollist.
Megjithatë, i rikthyer te Barcelona, nën urdhrat e një trajneri të ri ndryshe nga atëherë siç është Xavi - ky i fundit ka potencuar që është i kënaqur me atë çfarë ka parë deri më tani nga mesfushori boshnjak, duke e larguar kësisoj çdo mëdyshje për qëndrimin e tij te Barcelona.
Deklarata e Xavit për Pjanicin
Në kuadër të konferencës së sotme për shtyp që Xavi mbajti para ndeshjen që katalonasit do ta zhvillojnë kundër Rayo Vallecanos, ai u pyet në lidhje me një lojtar të mundshëm nëse do të sjellej për të qenë zëvendësues i Busquets.
"Pjanic më ka bindur dhe do të qëndrojë me neve", shpjegoi Xavi teksa fliste për situatën rreth mesfushorëve te Barcelona që janë në gatishmëri.
"Në mesfushë kemi Busquets, Pjanic,, Frenkie ose edhe Sergi Roberto - që mund të përshtaten në atë pozitë" - u deklarua Xavi.
Shpenzimet e Barcelonës në këtë afat kalimtar
Barcelona në këtë afat kalimtar nuk ka qëndruar duarkryq, përkundër shumë vështirësive financiare me të cilat po vazhdon të përballet.
Blerja më e kushtueshme e Barcelonës deri më tani ka qenë Raphinha, i cili arkave të klubit katalonas i kushtoi 58 milionë euro. Pastaj, ishte Kounde ai që kushtoi 50 milionë euro, duke u transferuar nga Sevilla për 50 milionë euro.
Edhe pse kushtoi më pak, kjo nuk do të thotë që ishte më pak i rëndësishëm. Fjala është për Lewandowskin, i cili u ble me një pompozitet të madh nga Bayern, pas një seri javësh ku prevalvoi vështirësia për ta gjetur një gjuhë të përbashkët mes dy klubeve rreth formulës së transferimit të lojtarit. Në fund, ylli polak iu bashkua Barcelonës për 45 milionë euro.
Në anën tjetër, Kessie dhe Christensen u zyrtarizuan si lojtarë të Barcelonës me parametra zero, ngase ishin pa kontrata të vlefshme.

