Vojvoda kris raportet me Torinon, lojtari mund të largohet në fund të sezonit
Mes Mërgim Vojvodës dhe Torinos nuk është se ekziston raporti më i shëndoshë i mundshëm. Kështu të paktën raportojnë mediet italiane, të cilat shpjegojnë që edhe bisedimet për vazhdim të kontratës kanë ngecur.
Fundi i muajit tetor ishte raportuar se do të ishte vendimtar për fatin e vazhdimit të kontratës, por gjithçka duket se ka ngecur.
Raporti i klubit me lojtarin nuk është në zenitin më të mirë, për shkak se nuk po arrihet të ketë përafrim mes dy palëve për ta gjetur një gjuhë të përbashkët, e cila do të mund të përfundonte me një kontratë të re.
Agjencia italiane e lajmeve, “Tuttomercatoweb”, së voni raportoi se është vetë Mërgim Vojvoda që tani nuk ka ndër mend që të shtyjë negociatat përpara.

Kështu, gjithmonë sipas burimeve të agjencisë italiane, Vojvoda mund të largohet nga Torino që në fund të këtij sezoni.
Kontrata e tij me Torinon skadon në fund të qershorit të vitit 2024. Torino nuk do të rrezikojë që të largohet me parametra zero. Madje, duke parë edhe të gjithë atë se çfarë ka ndodhur gjatë javëve të fundit, duket se parapëlqimi reciprok nuk është më në shkallën e dikurshme.
Nga i besuari i Juricit te lojtari që ndëshkohet nga i njëjti person
Ndeshja kundër Romës ka qenë shpërfytyrimi më i mirë i raporteve të krisura mes Torinos dhe ambientit të klubit.
Pasi shkaktoi dy gabime në “Olimpico” ndaj Romës, Vojvoda u largua nga loja në minutën e 30-të, pa pritur që të përfundonte pjesa e parë për ta bërë atë zëvendësim.
Juric e quajti aspak të mirë paraqitjen e mbrojtësit kosovar, duke thënë që nuk i ka pëlqyer asgjë. Një ndëshkim i rëndë ky, i cili pa mbrojtësit 27-vjeçar duke u larguar nga loja kokulur, ku u ngushëllua nga mesfushori Ricci.

Kujtojmë se po nga vetë i njëjti trajner, Ivan Juric, Mërgim Vojvoda ishte portretizuar si “ushtar” për faktin se ka dhënë gatishmërinë e plot që t’i përshtatej edhe një roli të ri në fushë, siç ishte ai i mbrojtësit të majtë, vetëm pse trajneri ashtu e kishte parë të arsyeshme për të mirë të skuadrës.
Kjo veçori e Vojvodës për t’u sakrifikuar për të mirën e grupit kishte marrë shumë notë pozitive nga drejtuesit e klubit “granata”.
Në orët e fundit Torino vazhdoi kontratën e drejtorit sportiv, Vagnati. Mirëpo, me Mërgim Vojvodën duke se gjërat po shkojnë drejt një divorci të pashmangshëm.
Shpresat e Torinos para disa javësh që ta nënshkruante një vazhdim të kontratës me përfaqësuesin kosovar për edhe një tjetër sezon, tanimë duken çdoherë e më të largëta.

