Villarreal me përmbysje e mposhtë Real Madridin në Santiago Bernabeu
Real Madridi është mposhtur në Santiago Bernabeu nga Villarreal me rezultat 3:2, ku nëndetësja e verdhë arriti ta përmbysë rezultatin nga humbja 2:1, për ta fituar në fund.
Mbretërit erdhën në këtë ndeshje super të motivuar, pasi mposhtën Barcelonën në Kupën e Mbretit për të shkuar në finale e gjithashtu në ndeshjen e fundit në La Liga e fituan me rezultat të thellë 6:0.
Edhe pse kjo ndeshje filloi në mënyrën më të mirë të mundshme për ta, Villarreal ashtu si gjithmonë që është shfaqur problem për skuadrën e Carlo Ancelottit, edhe këtë radhë nuk dëshpëroi.
Goli i parë i takimit u shënua herët. Ishte minuta e 16-të kur Pau Torres shënoi në portën e tij për ta çuar Real Madridin në epërsi 1:0.
Kur kishte pothuajse edhe pesë minuta deri në fund të pjesës së parë, një depërtim i bukur i Chukwuezes në mesin e vijës së mbrojtjes së mbretërve, bëri që ai të dilte në situatë të lehtë për të shënuar për golin e barazimit 1:1.
Pjesa e dytë filloi sërish mirë për Real Madridin. Në minutën e 48-të Vinicius Jr shfaqi magjinë e këmbëve të tij në fushë, kështu për ta çuar skuadrën e tij sërish në epërsi, tani 2:1.
Villarreal përmbysi gjithçka në 20 minutat e fundit të takimit. ishte fillimisht Morales që shënoi për të barazuar shifrat për herë të dytë në këtë takim në minutën e 71-të, pra në 2:2.
Nëntë minuta më vonë ishte sërish Chukwueze që shënoi, kësaj radhe për golin e fitores me një goditje të jashtëzakonshme nga distanca për rezultatin 3:2.
Me këtë rezultat përfundoi takimi dhe tani Real Madridi rrezikon edhe vendin e dytë në tabelë me një fitore të mundshme të Atletico Madridit, që do të afrohej vetëm në dy pikë, ndërsa Villarreal mori tre pikë të rëndësishme në rrugën e saj drejt arritjes së qëllimit, pra pozitën e katërt që ka larg katër pikë.
