Real Madridi turpëron Barcelonën në Camp Nou, shkon në finale të Kupës së Mbretit - NACIONALE

Real Madridi turpëron Barcelonën në Camp Nou, shkon në finale të Kupës së Mbretit

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Real Madridi ka arritur ta përmbysë rezultatin nga ndeshja e parë gjysmëfinale, për ta mposhtur Barcelonën në Camp Nou me rezultat 4:0, kështu për t’u kualifikuar në finale të Kupës së Mbretit, atje ku e pret Osasuna, e cila e mposhti dje Athletic Bilbaon me rezultat të përgjithshëm 2:1.

Katalunasit e nisën më mirë takimin në pjesën e parë, duke kontrolluar lojën përgjatë tërë 45 minutave, me Real Madridin që shfaqej herë pas here e rrezikshme.

Ishte vetëm një gol i shënuar gjatë këtyre minutave lojë dhe ai erdhi në minutat shtesë, pas një kundërsulmi që e udhëhoqi Vinicius, për ta përfunduar në gol pastaj ai personalisht për rezultatin 1:0.

Kështu përfundoi pjesa e parë, ndërsa me të filluar intervali i dytë kohor, mbretërit u treguan shumë më konkret, duke intensifikuar sulmet para portës së Andre Ter Stegen me ç’rast u shënuan edhe dy gola të shpejtë, teksa në 10 minutat e fundit Benzema kompletoi het-trikun.

Të tre golat mbajtën emrin e Karim Benzemas, që në fillimin e këtij muaji po kalon në formë të jashtëzakonshme, ku para tre ditësh shënoi het-trik në La Liga.

Fillimisht shënoi në minutën e 50-të për të dyfishuar rezultatin me një gol të bukur nga distanca, i asistuar nga Luka Modric.

Ndërsa për rezultatin 3:0 shënoi pak minuta më vonë, saktësisht në minutën e 59-të nga penalltia, pasi paraprakisht Kessie kishte shkaktuar faull në Vinicius në zonë të rrezikshme.

Për ta kompletuar het-trikun, francezi shënoi në minutën e 81-të, ku në rolin e asistuesit ishte Vinicius për rezultatin 4:0.

Me këtë fitore të pastër, rezultati nga dy takimet ishte 4:1 në të mirë të Real Madridit, me çka u kualifikua në finale të Kupës së Mbretit, ku do të ketë punë me Osasunën më 6 maj.

Përmbledhja dhe golat e shënuar nga takimi

Lajme të ngjashme