Vendos goli i Ronaldos, Al Nassr në epërsi pas takimit të parë me Al Feiha në Ligën e Kampionëve në Azi
Al Nassr ka fituar takimin e parë të fazës së 1/8 së finales në Ligë të Kampionëve të Azisë si mysafire e Al Feihas, me golin e vetëm të shënuar nga Cristiano Ronaldo, kështu për të shkuar në ndeshjen e kthimit me epërsi minimale por shumë të rëndësishme, pasi në përballjen e dytë skuadra nga Riadi është vendase.
Skuadra e Al Nassr e dominoi tërësisht takimin, duke pasur posedimin e topit në 78% të kohës, teksa patën edhe shumë raste të krijuara për gol, por vetëm një u realizua.
Goli erdhi në 10 minutat e fundit të takimit, më saktësisht në minutën e 81-të, kur pas një aksioni shumë të bukur, Marcelo Brozovic asistoi në mënyrë fantastike te Ronaldo, që shënoi gol të bukur për 1:0.
Goal: Cristiano Ronaldo | Al-Fayha 0-1 Al-Nassrpic.twitter.com/z9RE9SaCcN
— FootColic ⚽️ (@FootColic) February 14, 2024
Kjo fitore është shumë e rëndësishme për Al Nassr, pasi vjen si mysafire dhe kualifikimin për në çerekfinale do ta kërkojë pranë tifozëve të tyre.
Ronaldo po vazhdon formën fantastike, edhe pse tani 39-vjeçar. Për të, ky është goli i katërt në Ligën e Kampionëve në Azi, pas pesë paraqitjeve ku ka edhe një asist, teksa në Ligën Pro Saudite pas 18 ndeshjeve ka shënuar plot 20 gola.
Ndeshja e kthimit mes Al Nassr dhe Al Feihas zhvillohet më 21 shkurt, në KSU Stadium.