Vendimi i çastit të fundit që ia shpëtoi jetën yllit brazilian nga tërmeti vdekjeprurës në Turqi
Një vendim i çastit të fundit ka ndikuar që futbollisti brazilian i Gaziantepit, Joao Figueiredo, t’i shpëtonte më të keqes nga tërmeti tragjik që la të vdekur mbi 20 mijë njerëz në Turqi javën e kaluar.
Figueiredo ndodhej në Antalya për ndeshjen e Gaziantepit kundër Antalyaspor të dielën e kaluar në Superligën turke, dhe ai vendosi të mos kthehej me pjesën tjetër të ekipit në Gaziantep.
“I ndjeva dridhjet edhe këtu në Antalya, më zgjuan nga gjumi dridhjet e llambadarit, por asgjë nuk ndodhi. Nëna ime e dëshpëruar më mori në telefon në orët e hershme të mëngjesit. Miqtë e mi pyesnin se ku ndodhesha”, tha Figueiredo.
Gaziantepi ishte epiqendra e tërmetit vdekjeprurës, ku humbën jetë edhe disa futbollist, prandaj Figueiredo ishte me fat që vendosi të qëndronte në Antalya një ditë para se të godiste tragjedia.
Duke shpjeguar pse kishte vendosur të qëndronte në Antalya pas ndeshjes, sulmuesi brazilian theksoi: “Gruaja ime lindi para dy muajve dhe ndodhet në Brazil. Për shkak se ndodhesha i vetëm në Turqi, vendosa të qëndroja në Antalya edhe për një ditë tjetër pas ndeshjes. Antalya njihet për hotelet e saj cilësore dhe për turizëm. Është qytet shumë i njohur.”

Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh mëngjesin e hershëm të 6 janarit, i cili i ka vrarë mbi 35 mijë njerëz në të dy vendet.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 31.643, sipas autoriteteve vendase.
Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 4 mijë njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.
Tmerri i tërmetit të fuqishëm në Turqi i ka prekur edhe futbollistët në këtë vend, pasi raportohet se disa prej tyre kanë mbetur nën rrënoja dhe disa të tjerë janë lënduar.
Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.
Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.
Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.
Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.
