Vedat Muriqi: Negociatat ishin të vështira, por nga e hëna do ta filloj punën ashtu si sezonin e kaluar - NACIONALE

Vedat Muriqi: Negociatat ishin të vështira, por nga e hëna do ta filloj punën ashtu si sezonin e kaluar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, është prononcuar për herë të parë për mediet spanjolle që pas transferimit të tij në Mallorca.

Ai u shfaq i lumtur, përkundër se pranoi që negociatat nuk kanë qenë fare të lehta. Sidoqoftë, në fund epilogu pozitiv është ai që bën dallimin. Nga dje Vedat Muriqi edhe zyrtarisht është lojtar i Mallorcas.

Premtimi i Muriqit

Gjatë sezonit që lëmë pas, Muriqi kaloi në radhët e Mallorcas në formë huazimi për gjashtë muaj, deri në përfundim të sezonit. Aty spikati me pesë gola dhe tre asiste, duke i ndihmuar skuadrës që ta arrinte objektivin e saj kryesor: sigurimin e mbijetesës në ligë.

Pikërisht te rendimenti që ka pasur gjatë sezonit të kaluar, sulmuesi kosovar vuri theksin në prononcimin e tij, kur premtoi se nga e hëna do të punojë ashtu siç ishim mësuar ta shihnim gjatë kohës sa ishte pjesë e klubit ishullor spanjoll.

"Kanë qenë negociata të vështira dhe transferimi ishte i ndërlikuar. Por, është normale që shkoi kështu. Mirëpo, tani gjendem këtu dhe gjithçka ka përfunduar. Sido që të jetë, tani jam plotësisht i përqendruar te skuadra ime dhe nga e hëna do ta filloj punën si sezonin e kaluar", u shpreh Vedat Muriqi shkurtimisht për mediet spanjolle.

Divorci me Lazion

Pavarësisht shumë peripecive, në fund Lazio u pajtua që ta zbresë çmimin, nga 12 milionë euro sa i kërkonte para dy muajsh, në 9,3 milionë euro sa ishte oferta e fundit e Mallorcas, e cila i bindi drejtuesit lacialë.

Muriqi në asnjë moment nuk dha shenja ambientimi në Serie A, gjegjësisht me fanellën e Lazios. Duke qenë shumë i margjinalizuar në fushë e pak i dashur nga tifozët, hasi në vështirësi të mëdha ambientimi.

Huazimi te Mallorca i shërbeu si një infuzion i mirë për t'iu rikthyer vetëbesimi, si dhe nuhatja e golit. Tani ai do të mund t'i nisë punët aty ku i la, për të qenë çdoherë e më shumë lider i skuadrës së tij të re.

Lajme të ngjashme