Drejtori i Mallorcas: Dëshira e madhe e Vedat Muriqit për t’u rikthyer ishte vendimtare
Vedat Muriqi tashmë është lojtar i Mallorcas. Drejtori i klubit spanjoll theksoi se është i lumtur që arritën ta rikthejnë sulmuesin kosovar si pjesë e skuadrës së tyre.
Pas dështimit të marrëveshjes me Club Brugge, Lazio filloi ta zbusë retorikën e saj karshi Mallorcas, duke bërë edhe zbritje në çmim nga 12 milionë sa kërkonte dy muaj më parë, në 9,3 milionë euro sa vendosi ta pranojë ofertën e klubit spanjoll.
Për këtë marrëveshje janë shfaqur të gjitha palët të lumtura. Ishte zgjidhja që i kënaqte të gjithë.
Plotësimi i dëshirës së dyanshme
Interesimi i Mallorcas për ta blerë kartonin e Muriqit ka qenë gjithmonë i pranishëm. Shifrat e kërkuara nga Lazio ishin ato që krijonin problem te klubi spanjoll.
Siç edhe e potencoi drejtori i klubit, Pablo Ortells, një deklaratë për shtypin lokal, dëshira e lojtarit për t'u rikthyer te klubit i tyre ishte vendimtare.
"Dëshira e Vedat Muriqit për t'u rikthyer ka pasur një rol të rëndësishëm në negociatat e zhvilluara. Ne dëshironim që Muriqi të vinte këtu dhe të njëjtën gjë e dëshironte edhe ai. Kur palët dëshirojnë diçka kaq me zell, në fund gjithçka shkon drejt realizimit", përfundoi ai.
Muriqi ripërqafon klubin që i dha vetëbesim
Sulmuesi 28-vjeç, Vedat Muriqi, vinte nga dy vite të vështira që kishte përjetuar te Lazio. Në fund të edicionit 2019/2020, falë golave përcaktues, si dhe formës së dëshmuar në kampionatin turk me fanellën e Fenerbahçes, kishte bindur Igli Taren që ta sillte në "Olimpico".
Fusha tregoi se bashkëpunimi Lazio - Muriqi nuk gjeti asnjëherë paqe dhe për më tepër, vetë përshtatja ishte thuajse e pamundur. Integrimi në grupin e lojtarëve nuk ndodhi kurrë. Muriqi u pa shumë i izoluar. I pavërejtur me raste, duke mos u socializuar. I pavërejtur ishte edhe para portës, meqë në 38 paraqitje me lacialët shënoi vetëm një gol.
Duke i ditur të gjitha këto komponente, ai me të drejtë kërkoi që të huazohej gjatë afatit të fundit kalimtar dimëror. Lazio ia mundësoi një gjë të tillë, duke e huazuar për gjashtë muaj te Mallorca.
Kjo u pa si një fillim i ri për sulmuesin prizrenas. Duke iu falënderuar paraqitjeve të tij të mira, si dhe golave të rëndësishme në ndeshje vendimtare, Mallorca ia doli ta arrijë objektivin kryesor sezonal, atë të mbijetesës në kampionat. Në krejt këtë rrugëtim, 28-vjeçari kosovar kontribuoi me pesë gola dhe tri asiste tjera.
Pas mbarimit të kampionatit ai u rikthye te Lazio, klub i cili deri vonë zotëronte ligjërisht kartonin e tij.
Megjithatë, Muriqi asnjëherë nuk tregoi dëshirë për të qendruar në Itali, e aq më pak te skuadra e Maurizio Sarrit. Kësisoj, ai ishte në pritje të zhbllokimit të negociatave mes Lazios dhe Mallorcas, për t'u rikthyer aty ku i besuan dhe e ktheu vetëbesimin e munguar prej kohësh.
Në këto rrethana është e drejtë e përligjur e tij t'i gëzohet transferimit te klubi ishullor spanjoll, pasi aty dha provimin se mund të jetë lojtar me peshë, i cili mund ta bëjë dallimin te skuadra në fjalë.
Tani është radha të rikonfirmohet dhe ta bëjë detyrën për të cilën është i thirrur: t'i ndihmojë skuadrës duke shënuar gola.


