Vedat Muriqi e shpëtoi Mallorcan, a do ta shpëtojë ajo atë tani? - NACIONALE

Vedat Muriqi e shpëtoi Mallorcan, a do ta shpëtojë ajo atë tani?

4 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Vedat Muriqi e përmbushi synimin dhe fjalën e dhënë për ta shpëtuar Mallorcan nga rënie prej La Ligës, me golat dhe asistet e tij vendimtarë, por a do t’ia shpaguajë këtë mund klubi spanjoll sulmuesit kosovar dhe t’ia shpëtojë karrierën?

Muriqi mbërriti në klubin ishullor në janar në një marrëveshje huazimi gjashtëmujor me një qëllim, për t’i ndihmuar Mallorcas të qëndrojë në elitën e futbollit spanjoll edhe për një vit tjetër dhe për ta kthyer në binarë karrierën e vet.

Dhe 28-vjeçari nga Prizreni e bëri pikërisht këtë, duke i shënuar pesë gola dhe duke i dhuruar tri asiste në 15 paraqitje. Pra, më shumë se çdo lojtar tjetër i Mallorcas në vitin 2022, apo që prej kohës kur ai iu bashkua atyre, dhe mjaftueshëm për ta shpëtuar skuadrën nga rënia në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

Kontributi i përfaqësuesit të Kosovës nuk kanë qenë thjesht vetëm golat dhe asiste, por edhe shpirti i tij luftarak në fushë, diçka që nga ai ishte parë vetëm te Kosova para kalimit në La Liga.

Mallorca e mbylli sezonin në vendin e 16-të me 39 pikë, një pikë më shumë se vendi i fundit që ra nga liga, Granada, falë fitores 2:0 kundër Osasunas në ditën e fundit të sezonit, edhe në këtë triumf, Muriqi asistoi.

A do t’ia shpëtojë Mallorca karrierën Muriqit tani?

Muriqi ka rilindur në La Liga dhe ai ka nevojë që klubi spanjoll ta shfrytëzojë mundësinë në marrëveshjen me Lazion për ta blerë kosovarin për 12 milionë euro.

Pas ndeshjes të dielën, huazimi i Muriqit në Mallorca mbaroi dhe ai do të presë të shohë nëse Mallorca do ta mbajë, apo do të detyrohet të kthehet në Lazio, ku karriera e tij po shkonte drejt dështimit.

Karriera e Muriqit ka pësuar ngritje dhe rënie të mëdha në disa vitet e fundit. Pasi shkëlqeu me Fenerbahcen në Superligën e Turqisë, ai iu bashkua Lazios për 20 milionë euro në vitin 2020, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë i Kosovës.

Por karriera e tij në kryeqytetin italian pësoi rënie drastike dhe ai s’e gjeti veten asnjëherë, derisa Mallorca i trokiti në derë në janar të këtij viti, ku kosovari nuk pati aspak vështirë të përshtatet me jetën dhe futbollin.

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka thënë se është herët të flitet për të ardhmen e Muriqit i pyetur nga Gazeta Nacionale nëse ai do të mbetet në Mallorca.

Mallorca është e etur për ta mbajtur kosovarin, megjithëse shuma prej 12 milionë eurove mund të jetë telash për klubi spanjoll.

Muriqi ka marrëveshje me Lazion deri në vitin 2025 por ai do të shpresojë se do të arrihet një marrëveshje për qëndrimin në ishull, aty ku ai është bërë një pirat i vërtetë.

Lajme të ngjashme