Vedat Muriqi dhe Anel Rashkaj mbështesin Lirinë para ndeshjes së barazhit ndaj Ferizajt - NACIONALE

Vedat Muriqi dhe Anel Rashkaj mbështesin Lirinë para ndeshjes së barazhit ndaj Ferizajt

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi i Mallorcas Vedat Muriqi dhe ish kapiteni i Kosovës Anel Rashkaj i kanë uruar suksese klubit të Lirisë së Prizrenit në ndeshjen e barazhit kundër Ferizajt.

Liria është sërish pranë inkuadrimit në Superligë pasi mposhti Ulpianën në ndeshjen e parë të barazhit dhe tani duhet të triumfojë edhe ndaj Ferizajt për t’u kthyer në elitë.

Para kësaj ndeshje të rëndësishme që zhvillohet në vikend, për faqen zyrtare të klubit kanë folur Muriqi dhe Rashkaj. Ylli i Mallorcas tha se nuk ka asnjë dyshim që Liria do të kthehet në Superligë.

"Përshëndetje për të gjithë. Në radhë të parë ju përgëzojë për të gjithë suksesin deri më sot, por na ka mbetur edhe një hap i vogël për të hyrë në Superligën e Kosovës, kështu që iu uroj shumë sukses në ndeshjen e barazhit dhe nuk kam kurrfar dyshimi që do ta kalojmë barazhin dhe të hymë në Superligën e Kosovës. Forca Liria".

Ndërkohë, Rashkaj deklaroi se tifozët duhet ta përkrahin sa më shumë klubin prizrenas për t’u kthyer ‘aty ku e ka vendin’ dhe që të jenë shembull në futbollin e Kosovës.

"Përshëndetje nga Suedia. Klubi i qytetit tonë të bukur Prizrenit, Liria ka një ndeshje shumë të rëndësishme atë të barazhit për të hyrë në Superligën e Kosovës. Ftoj të gjithë dashamirët e futbollit që ta përkrahin klubin tonë në mënyrë masive që ta ndihmojnë Lirinë të hyjë në Superligë, aty ku e ka edhe vendin".

"Dhe t'i ndihmojnë Lirisë që të bëhet shembull dhe të ketë suksese të shumta edhe në të ardhmen. Forca Liria".

Ndeshja mes Ferizajt dhe Lirisë zhvillohet në “Zahir Pajaziti” me fillim nga ora 15:00.

Lajme të ngjashme