Unitedi i Alex Fergusonit do ta mposhte 3:1 Man Cityn e Pep Guardiolës – pretendon Ferdinand - NACIONALE

Unitedi i Alex Fergusonit do ta mposhte 3:1 Man Cityn e Pep Guardiolës – pretendon Ferdinand

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rio Ferdinand pretendon se Manchester Unitedi i atëhershëm i Sir Alex Fergusonit do të kishte fituar 3:1 kundër Manchester Cityt të tanishëm të Pep Guardiolës, i cili është në kërkim të tripletës.

Manchester City është në formë të jashtëzakonshme këtë sezon dhe fitorja 4:1 kundër Arsenalit së fundmi e vë atë në pozitë për ta mbrojtur titullin në Premierligë.

City synon gjithashtu lavdinë në FA Cup, ku do të përballet me rivalin e qytetit Manchester United në finale, si dhe në Ligën e Kampionëve ku do të përballet me Real Madridin në gjysmëfinale.

Megjithatë, Ferdinand thotë se ekipi i Manchester United i vitit 2008, pjesë e së cilit ishin edhe Cristiano Ronaldo dhe Wayne Rooney, do ta kishte mundur Cityn e Guardiolës me rezultat 3:1.

E vështirë. Do të ishte ndeshje e vështirë. Është vështirë të përballesh me ekipin e Pep, ne u asgjësuam nga skuadra e tij Barcelona. Kështu që kjo skuadër me lojtarët që ka, me Haaland dhe De Bruyne do të ishte e vështirë, por mendoj që do të fitonim 3:1”, parashikoi ish-mbrojtësi i Unitedit, gjë që bëri që prezantuesit e BT Sport të qeshnin me të.

Kur u pyet nëse do të kishte qenë në gjendje ta ndalte Erling Haalandin, Ferdinand shikoi në xhepin e tij dhe tha: “Do të ishte aty diku.”

Megjithatë, me fjalë serioze ai shtoi: “Do të na duhej të luftonim dhe të shkonim kokë me kokë me ta. Është ekip i mirë dhe nuk mund ta mohosh këtë.”

Në sezonin 2007/08, ekipi i Manchester Unitedit i fitoi Premierligën dhe Ligën e Kampionëve, por nuk arriti të fitonte tripletën, pasi u eliminuan në çerekfinale të FA Cup kundër fituesit Portsmouth.

Megjithatë, United fitoi tripletën nën menaxhimin e Ferguson, në vitin 1999 dhe mbetet e vetmja skuadër angleze që e ka bërë deri më sot./Orselina Lazraj/

Lajme të ngjashme