Unai Emery kthehet në Premierligë me fitore të bujshme kundër Man Unitedit në debutim me Aston Villën
Manchester United ka pësuar një humbje të befasishme nga skuadra e Unai Emery, Aston Villa me rezultat 3:1, kështu duke i përkeqësuar vetës punët në pozitën tabelore.
Trajneri spanjoll u kthye sërish në Premierligë, pas një eksperience të dështuar pak vite më parë me Arsenalin, por tani në krye me Aston Villën, dhe qysh në debutim u përkujdes për befasinë e parë.
Villa nuk po kalonte fare momente të mira për çka edhe shkarkoi legjendën e Liverpoolit, Steven Gerrard nga pozita e trajnerit javë më parë.
Ndeshja e zhvilluar në Villa Park dha katër gola, ku tre prej tyre u shënuan në pjesën e parë të takimit.
Posedimi i topit në 45 minutat e para ishte i barabartë e po ashtu njëjtë ishin në krijimin e rasteve të rrezikshme, por që vendasit ishin më konkret para golit.
Në dy goditje në portë gjatë pjesës së parë nga Aston Villa, të dyja përfunduan prapa krahëve të David de Geas.
Fillimisht ishte Leon Baily që shënoi në minutat e hershëm për 1:0 pas asistimit të Jacob Ramsey.
Vetëm katër minuta më vonë, saktësisht në minutën e 11-të, Lucas Digne, shënoi një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë për dyfishimin e epërsisë për Aston Villën.
Manchester United provoi me anë të Ronaldos fillimisht të ngushtonte rezultatin por në vend ishte Emi Martinez që priti mirë goditjen e portugezit.
Ngushtimi i epërsisë erdhi vetëm në minutën e 45-të, pas një tentim harkimi nga Luke Shaw, që u devijua nga Ramsey dhe përfundoi në portë për rezultatin 2:1, me të cilin përfundoi pjesa e parë.
Me të filluar pjesa e dytë Aston Villa arriti të shënonte përsëri, kësaj radhe asistuesi në golin e parë, Jacob Ramsey shënoi për 3:1 në minutën e 49-të, ndërsa në rolin e asistuesit ishte Ollie Watkins.
Në vazhdim gola më nuk pati dhe i vetmi rast që vlen të ceket ishte kur Ronaldo u përplas me mbrojtësin Mings sikur të ishte në mundje, por fatmirësisht për të dhe skuadrën e tij që kartoni i kuq u evitua.
United mbetet në pozitën e pestë në tabelë pas humbjes së hidhur me tre pikë prapa Tottenhamit, ndërsa Aston Villa ik nga zona e rrëzikshme me këtë fitore për t'u pozicionuar në vendin e 13-të me 15 pikë pas 14 ndeshjeve.
