“Ua thej këmbët”: Prokuroria po e pret raportin e Policisë për kanosjen e lojtarëve të Kosovës nga Agim Ademi
Prokuroria Themelore në Prishtinë është bërë e gjallë.
Pas tri ditësh pritje, këta të fundit kanë dhënë detaje lidhur me rastin ku kryetari i FFK-së, Agim Ademi, po dyshohet për kërcënimin ndaj tre lojtarëve të Kombëtares së Kosovës.
Në një përgjigje për Nacionalen, Prokuroria ka bërë të ditur se e ka autorizuar Policinë për të ndërmarrë veprime dhe informacione.
Pas pranimit të raportit nga Policia, Prokuroria do të sqarojë nëse do të nisin hetimet apo jo.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë pas publikimit në gazetat- portalet online se kryetari i FFK-së Agim Ademi, i ka kanosur disa lojtarë të Përfaqësueses së Kosovës në futboll, ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarr veprime për grumbullim të informatave dhe provave në këtë rast. Pas pranimit të një raporti nga Policia e Kosovës Prokurori i Shtetit do të vendos a do të filloj hetime apo jo për këtë rast”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
Skandalet në lidhje me menaxhimin e Kombëtares së Kosovës në futboll nuk kanë të ndalur. Pas përjashtimit nga grumbullimi të yjeve si Edon Zhegrova, Aro Muriq dhe Florent Muslija, tash dy personalitete publikisht e kanë denoncuar Agim Ademin, kryetar i FFK-së. Gazetari i njohur Arlind Sadiku dhe analisti Ramiz Shala e kanë akuzuar Ademin për kërcënim ndaj tre futbollistëve të përjashtuar nga FFK-ja. Çka po ndodh?
Dje gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në emisionin “Dueli Sportiv”, Shala bëri një denoncim publik, duke thënë se Ademi ka kërcënuar tre futbollistët e përjashtuar. Sipas Shalës, Agemi ka kërcënuar Zhegrovën, Muriqin dhe Muslijen se do “tua shkatërroj karrierën”, “do tua thyej këmbët”.
“Para vendimit, Agimi i ka thirr të tre djemtë dhe po citoj me fjalë “Kam me iu shkatërru karrierën, ja u prishi fytyrën, këmbët bre ja u thej…Nuk ka marrë vendim Foda, përveç Agim Ademit. Nuk duhet ta mashtrojmë opinionin, sepse ata djem janë lojtarë të Kosovës. Na i njohim, edhe nëse kanë gabuar që nuk e besoj, edhe nëse dalin prej Agim Ademit e teposhtë edhe në kanagjegje janë shku” – tha mbrëmë Shala, ndër tjera.
Të njëjtën gjë sot e ritheksoi Sadiku, drejtor i sportit në “Artmotion” dhe njëri nga gazetarët më të ndjekur të Kosovës. Këtë kërcënim, Sadiku e ka quajtur si “skandaloze”.
“Skandaloze Njëri nga futbollistët e përjashtuar, në kushte anonimiteti, pranoi se Agim Ademi i ka kërcënuar duke iu thënë “jau thej komtë, jau prishi karrierën”!” – ka shkruar Sadiku në profilin e tij në Facebook.
Duke komentuar denoncimin publik të Sadikut, gazetari Berat Buzhala ka kërkuar përfshirjen e prokurorisë në lidhje me dyshimt për kërcënime ndaj Ademit.
“Prokuroria duhet me i thirre tre lojtaret e denuar, e me i pyet. Agim Ademi eshte recidivist ne kete drejtim. Agim Ademi eshte bullizues. Nese ai i ka kercenu lojtaret keshtu, atehere cka duhet me prite tjeter? Me jau thy nime kambet?” – ka shkruar Buzhala.
Ndryshe mbrëmë Shala tha se nuk ka dëgjuar që të përjashtohet një sportist, “përpos në Serbi”.
“Unë i kam faktet e mia, nuk flas qysh ka qejf dikush. A i ke dëgjuar tu thanë për rregullore, cilën rregullore? Kush e ka hartuar? Cili nën thotë se duhet të përjashtohet kur të del dikush…Kemi të bëjmë me një njeri që ka probleme psikike. Nëse ti pa kanë i çmendur, nuk i thu lojtarit kryesor, largohu se ta prishi fytyrën, karrierën dhe t’i thej këmbët…Nuk kam dëgju që një kryetar federate me e përjashtu një sportist, përpos në Serbi, nuk kam dëgjuar asnjë tjetër. Federata ka Komision Disiplinor, i cili është përgjegjës për secilin anëtar të Federatës” – ka thënë Shala.
Gazeta Nacionale ka dërguar email në adresë të FFK-së në lidhje me këto akuza publike.