Trepçës i takon përparësia e terrenit vendas në finalet e play-off’it me Pejën, sipas Komisionit të FBK-së
Trepça do ta ketë përparësinë e terrenit kundër Pejës në finalet e play-off’it, pasi e mundi lideren e sezonit të rregullt, Prishtinën, në gjysmëfinale, ka vendosur Komisionit Arbitrar i Federatës së Basketbollit të Kosovës të martën.
Komisioni i Garave i FBK-së ia kishte dhënë këtë të drejtë Pejës fillimisht, por Trepça bëri ankesë në Komision Arbitrar dhe e fitoi të drejtën ta nisë serinë e finaleve në palestrën e vet Minatori në Mitrovicë.
Komisioni Arbitrar u thirr në nenin 9.2.1. të Porpozicioneve të Garave, i cili thotë: “Në rast të eliminimit të ekipit më lartë të plasuar, skuadra më poshtë e plasuar e zë vendin e asaj skuadre”.
Klubi mitrovicas e mundi Prishtinën 3:2 me lojë në një gjysmëfinale dramatike, klubin kryeqytetas që gjatë sezonit të rregullt ishte i renditur më së larti.
Ky nen thotë tutje: “Përparësinë e terrenit vendës e ka ekipi qe ka qenë më mirë i ranguar në edicionin e rregullt dhe luan si vendas në ndeshjet 1, 3 dhe eventualisht 5”.
Komisioni Arbitrar tha se Trepça ka të drejtë të luajë vendase në ndeshjen e parë dhe tretë, si dhe në të pestën nëse fituesi nuk përcaktohet në tri ndeshjet e para.
Në sezonin 2020/21, Peja e kishte fituar të drejtën e përparësisë së terrenit vendas në të njëjtën mënyrë, pasi e kishte mundur në gjysmëfinale ekipin e renditur më së larti në sezonin e rregullt.
