Trepça ’89 mposht minimalisht Drenicën, Dukagjini deklason Malishevën
Trepça ’89 ka fituar tre pikë të rëndësishme kundër Drenicës, duke e mposhtur 1:0 në “Riza Lushta”. Në Klinë pastër dhe lehtë fitoi Dukagjini kundër Malishevës, duke ngadhënjyer 4:0.
Dy ndeshje u luajtën sot në Superligë me fillim në ora 13:00. Të dy ndeshjet ishin të koncentruara për zonën e mbijetesës. Në fund, skuadrat vendëse dolën me pikët e plota.
Në Mitrovicë u zhvillua një futboll shumë taktik dhe me raste monoton. Në pjesën e parë skuadrat aplikuan një futboll të ndrojtur, pa u hapur shumë, duke mos i lënë hapësira të mëdha njëra-tjetrës.
Drenica ruajti mirë vijën e saj mbrojtëse dhe – siç bën zakonisht kur luan si mysafire – u përpoq që me anë të kundërsulmeve ta kërcënonte portën e mitrovicasve.
Gjithsesi, kishte dalje të mira heraherës nga skuadra mysafire, por mungoi një zhdërvjelltësi e repartit sulmues për ta shënuar golin e fitores.
Trepça ’89 çështjen e fitores e zgjidhi në pjesën e dytë. Pikërisht në pjesëlojën kur ishte shumë pasive dhe dukej që nuk premtonte shumë.
Në minutën e 77-të “xehetarët” përmes një aksioni shumë të shpejt Armend Gashi shënoi një gol të bukur me një gjysmë vollej për 1:0.
Vetëm pak minuta më vonë, po i njëjti lojtar mori edhe kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar nga loja.
Deri në fund të takimit Drenica u përpoq me këmbëngulësi që ta barazonte rezultatin, por pa sukses. Trepça ’89 si rrallëherë ia doli ta mbajë portën e paprekur.
Në ndeshjen tjetër, në atë që u luajt në “18 qershori” të Klinës, Dukagjini deklasoi Malishevën, duke e mposhtur me rezultat të thellë 4:0.
Në asnjë moment klinasit nuk e vunë në mëdyshje çështjen e fitores. Dukagjini arriti të mbizotërojë në lojë, duke treguar të gjithë superioritetin e vet.
Golat për ekipin vendës i shënuan Zulfiu 45+3’, John 64’, Merlaku 85’ dhe Morina 89’. Një fitore në ndeshje direkte për zonën e mbijtesës, që i jep shumë shpresa Dukagjinit që të dalë sa më parë nga kjo zonë, posaçërisht falë formës që po tregon gjatë këtyre javëve të fundit.
Me rezultatet që u arritën këtë pasditë ndryshoi relativisht edhe renditja e ekipeve në tabelë. Tani Trepça ’89 ka shkuar në kuotën e 15 pikëve, por vazhdon të mbetet në pozitën e parafundit.
Numrin e njëjtë të pikëve me “xehetarët” kanë edhe Dukagjini, respektivisht Malisheva. Fitorja e sotme trajnerit Dallku ia mundësoi që ta barazojë me pikë Malishevën, duke dalë në pozitën e 8-t. Objektivi i skuadrës është që të largohen nga zona e barazhit dhe tani po bëhet çdoherë e më i realizueshëm ky qëllim.


