Trajneri Ramadani sqaron mungesën e disa lojtarëve kyçë në listën e Kombëtares në futsall për ndeshjen me Holandën
Kombëtarja e Kosovës në futsall në krye me trajnerin e ri, Agon Ramadani, kanë bërë të ditur listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Kupën e Botës, aty ku Dardanët do të përballen me Holandën. Pjesë e listës nuk ishin disa nga futbollistët kyç, si Jeton Rukovci, Melos Kelmendi e Drilon Maxharraj, por trajneri Ramadani ka sqaruar mungesën e tyre.
Kosova pjesë e grupit të 11 të Main-Round së bashku me Holandën dhe Ukrainën, tashmë ka gjasa minimale për të kërkuar një kalim tutje, pasi që i nevojitët një fitore e thellë dhe të mbajë shpresa që Ukraina e mposht në ndeshjen tjetër Holandën.

Pjesë e listës së Ramadanit për këtë ndeshje janë:
Portierët: Bajram Ramadani, Behar Selmanaj dhe Blend Bajraktari, ndërsa lojtarët: Ramadan Alaj, Malush Qerimi, Mergim Dervishaj, Ari Kaqandolli, Endrit Hajdini, Shkodran Loshaj, Driton Nishori, Shefki Kameri, Fejza Kastrati, Velson Morina, Meriton Salihu, Arben Mustafa, Rinor Hoti dhe Drilon Haxhijaj.

Me të parë mungesën e tre lojtarëve kyç të Kosovës, Gazeta Nacionale ka kontaktuar me trajnerin e Kombëtares për të mësuar arsyen e mungesës.
“Driloni ka karton dhe ai nuk mund të luajë rrjedhimisht. Jetoni dhe Melosi kanë telashe me dokumentacione. Normalisht ata janë shumë të rëndësishëm për ne”, tha Ramadani për Gazetën Nacionale.
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë futbollisti dhe kapiteni i Kosovës, Jeton Rukovci, ku tha se ai dhe shoku i tij i skuadrës Melos Kelmendi kanë pranuar ftesat, por se janë në pritje të një vize afatgjate dhe për këtë arsye nuk mund të udhëtojnë për ndeshjen ndaj Holandës.

“Ftesat na kanë ardhur, por për shkak se jemi në pritje të vizave afatgjate që kemi aplikuar në janar, e kemi të pamundur të udhëtojmë.”
Ndërsa Drilon Maxharraj që tashmë është bërë me skuadër të re, ku do të luajë për Ulqinin, në ndeshjen e fundit me Kombëtaren mori karton të kuq dhe për këtë arsye ai nuk do të jetë pjesë e Kosovës për këtë ndeshje.
Ndeshja e Kosovës me Holandën zhvillohet më 3 mars me fillim nga ora 17:00.
*Lista e publikuar gjatë ditës tashmë nuk figuron në faqën zyrtare të FFK-së.
